Pozitat shtetërore në funksion të mbledhjes së votave partiake

Pozitat shtetërore në funksion të mbledhjes së votave partiake

Zgjedhjet 2019 September 16, 2019 - 08:10
detajet
Image

Ministrat në detyrë Abelard Tahiri (PDK), Pal Lekaj (AAK), Endrit Shala (Nisma), Valdrin Lluka (AKR) po marrin pjesë intensivisht nëpër tubimet e partive që u përkasin, ndonëse ato po zhvillohen ende pa nisur fushata. Njohësit e zhvillimeve politike konsiderojnë se ministrat në detyrë po i shfrytëzojnë pozitat shtetërore për lobim te qytetarët, duke i lënë anash angazhimet e tyre ditore nëpër dikasteret përkatëse, shkruan sot gazeta "Zëri"

Ndonëse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore liderët politikë tashmë kanë shpalosur pikat kryesore të programit të tyre. Në kuadër të kësaj parafushate nuk po mungojnë as ministrat në detyrë dhe diplomatët, të cilët vijnë nga partitë që ishin në pushtet.

LEXO EDHE: BE: Është koha që të çgetoizohen kosovarët

Ministrat në detyrë Abelard Tahiri (PDK), Pal Lekaj (AAK), Endrit Shala (Nisma), Valdrin Lluka (AKR) po marrin pjesë intensivisht nëpër tubimet e partive që u përkasin, ndonëse ato po zhvillohen ende pa nisur fushata.

Njohësit e zhvillimeve politike konsiderojnë se ministrat në detyrë po i shfrytëzojnë pozitat shtetërore për lobim te qytetarët, duke i lënë anash angazhimet e tyre ditore nëpër dikasteret përkatëse.

Angazhimet partiake nuk ndikojnë në punën e ministrive

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, herët është kujdesur që përmes e-mailit zyrtar të kësaj Ministrie t’u dërgojë medieve një deklaratë, në të cilën u bën thirrje për mbështetje të “Paktit kundër korrupsionit”, të iniciuar nga shefi i tij Kadri Veseli. Të angazhohet në tubimet partiake është parë ministri i Infrastrukturës dhe i Transportit, Pal Lekaj. Ai duke folur për gazetën “Zëri” ka mohuar se po lë anash angazhimet e tij në Ministri për të marrë pjesë në tubimet elektorale.

“Unë punën time si ministër i Infrastrukturës dhe i Transportit po vazhdoj ta përmbush me përpikëri. Aktivitetin tim politik e kam të aranzhuar pas orarit, duke mos ndikuar aspak në punën time në MIT”.

Ndërkohë ministrin e Tregtisë dhe të Industrisë, Endrit Shala, në këtë kohë parafushate më shumë po e shohim nëpër përballje në debate parazgjedhore sesa duke u prononcuar për Ministrinë, që ai udhëheq. I përqendruar në fushatë zgjedhore është edhe ministri Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili me vete po e merr edhe bashkëpartiakun e tij, ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Llukën. Përveç ministrave, partitë politike i kanë mobilizuar edhe diplomatët e Kosovës. Siç është raportuar, ata kanë braktisur angazhimet e tyre duke u ngarkuar me aktivitete politike në vendet ku ata shërbejnë.

Tahiri: Shfrytëzimi i pozitave shtetërore për lobim, jodemokratik

Njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri konsideron se angazhimi i pjesëtarëve të partisë që mbajnë pozita shtetërore në këtë parafushatë zgjedhore është keqpërdorim i pozitës. Ai tha se Kosova po shihet si interes partiak dhe funksioni i shtetit është në funksion të partisë politike të caktuar, e cila është pjesëmarrëse në qeveri. Në këtë bazë, siç tha ai, e para vjen partia e pastaj institucionet shtetërore.

“Ani pse nuk ka filluar fushata, kuadrot e angazhuara në funksione shtetërore nuk do të duhej në asnjë mënyrë të bëjnë fushatë partiake, mirëpo këta shkojnë edhe me vetura zyrtare dhe bëjnë fushatë”, tha Tahiri.

Një gjë e tillë sipas Tahirit po ndodh me secilin udhëheqës e nuk është aspak demokratike.

“Po ndodh pareshtur pjesëmarrja në parafushatën zgjedhore të ministrave në detyrë, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, secili nga këto funksione, përveç presidentit, i cili po e respekton funksionin, ose nuk po mundet. Një gjë e tillë është e keqe, sepse nuk është demokratike dhe vë në funksion klientelizmin e partisë, vendos partinë para shtetit dhe kjo nuk është ligjore e as e moralshme fare”, ka deklaruar ai.

duke folur për prezantimin e programeve të liderëve politikë ende pa filluar fushata ka thënë se mediet nuk do të duhej t’i përcillnin këto aktivitete të liderëve që po e shfrytëzojnë hapësirat mediale për reklamim.

“Mediet nuk do duhej t’i përcillnin, por ato e përcjellin në kuadër të ngjarjeve dhe u japin publicitet. Ajo që po bëjnë liderët nuk është për t’u dënuar, por mediet do të duhej ta bojkotonin”, ka përfunduar ai.

Për dallim nga Tahiri, analisti Krenar Shala nuk e konsideron problematike një gjë të tillë. Përkundrazi, angazhimi në parafushatë i ministrave në detyrë dhe lobimi për partitë e tyre është krejtësisht normal.

“Besoj se është normale që kandidatët në garë të jenë të angazhuar në fushatën zgjedhore dhe po ashtu është normale që partitë ende pa filluar zyrtarisht fushata e kanë filluar tashmë atë”.

Partitë sipas Shalës duhet dhe mund të bëjnë fushatë jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por duhet të jenë të angazhuara në konsultime me votuesin në çdo kohë, sepse këtë e kërkon demokracia.

Pikat kyçe të kandidatëve të subjekteve për kryeministër

Ndonëse fushata zyrtarisht fillon më 25 gusht, kandidatët për kryeministër tashmë kanë shpalosur pikat kryesore të programeve të tyre. Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Kadri Veseli, para pak ditësh bëri publike pesë shtyllat e “Paktit kundër korrupsionit”, ku premtoi sundim të ligjit dhe luftim të korrupsionit.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, programi i së cilës përmban po ashtu pesë shtylla. Ajo ka premtuar sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, punësim dhe 100 euro pagë mujore për të porsalindurit.

Ndërsa pikat kryesore të programit të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti janë luftimi i korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik. Edhe kandidati i AAK-së kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nuk ka pritur deri në hapjen zyrtarisht të fushatës për t’i bërë publike pikat kryesore të programit te tij. Ai premtoi rritje të pagave dhe liberalizim të vizave.

Ndërsa kandidati i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se programi i tij përmban zgjidhje për të gjitha temat e rënda që e presin Kosovën pas 6 tetorit./ZERI

Të rekomanduara