BE: Është koha që të çgetoizohen kosovarët
FOTO: Zëri

BE: Është koha që të çgetoizohen kosovarët

Aktuale September 16, 2019 - 08:03
detajet
Image

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë në një përgjigje dhënë “Zërit” ka rikonfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe rrjedhimisht është koha e duhur që kosovarëve t’u hiqen vizat. Ata gjithashtu vlerësojnë se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet e saj për ta forcuar sistemin e drejtësisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave, 28 shtetet anëtare të BE-së ende s’e kanë dhënë fjalën e fundit për këtë proces. Zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë thënë “Zërit” se pavarësisht që u takon shteteve anëtare të marrin një vendim final, është koha e duhur që kosovarëve t’u liberalizohen vizat. “Procesi i vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën po vazhdon.

Siç tha përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Helsinki, Komisioni Evropian i ka sugjeruar Këshillit që ka ardhur koha për të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ajo me këtë rast shtoi se tani i takon Këshillit ta marrë atë vendim, duke shprehur besimin se është koha e duhur që populli i Kosovës të marrë liberalizmin e vizave”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

Mirëpo derisa heqja e vizave të ndodhë, Zyra e BE-së ka theksuar se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet për sundimin e ligjit, të sigurisë dhe të migracionit. “Siç e dini raporti i Kosovës për vitin 2019 e ka përsëritur mbështetjen e Komisionit Evropian për përfundimin e këtij procesi si çështje urgjente. U takon shteteve anëtare të BE-së, të përfaqësuara në Këshillin e BE-së, së bashku me Parlamentin Evropian, të marrin vendimin përfundimtar.

Ndërkohë është e rëndësishme që Kosova t’i demonstrojë përpjekjet e saj të vazhdueshme për sundimin e ligjit, për të pasur nën kontroll migrimin dhe sigurinë në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin përfundimtar të shteteve anëtare të BE-së”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve të integrimit shprehen skeptikë se deklaratat e fundit të zyrtarëve të BE-së mund ta përshpejtojnë heqjen e vizave. Sipas tyre, një gjë e tillë varet direkt nga përmirësimet që Kosova i bën në fushën e sundimit të ligjit, si dhe indirekt nga rrjedhshmëria e bisedimeve me shtetin serb.

LVV: Mosheqja e vizave, sanksion ndaj veprimeve të liderëve kosovarë

Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, duke folur për heqjen e vizave për “Zërin” ka thënë se ky proces ka dështuar të ndodhë për shkak të sjelljes së liderëve kosovarë përgjatë viteve të fundit. Ai ka theksuar se të gjithë liderët kosovarë kanë dhënë premtime për heqjen e vizave, mirëpo ky proces kërkon përkushtim të madh nga ana e Qeverisë.

“Qe 15 vjet kanë premtuar liberalizim të vizave. Edhe kryeparlamentari, edhe kryeministri në dorëheqje, edhe presidenti kanë dalë me deklarata nga Berlini e nga Brukseli duke thënë se përfundoi heqja e vizave, skenë kjo që përsëritet disa herë që nga hapja e shampanjës nëpër zyre të Qeverisë e deri te premtimet e pafundme. Kjo tregon që ata nuk jetojnë realitetin e qytetarit të Kosovës, sepse meqë ata mund të udhëtojnë lirshëm me pasaporta diplomatike nuk u intereson që me mijëra njerëz grumbullohen para ambasadave, që është një nga skenat më të tmerrshme, të cilat mund t’i shohim. Liberalizimi i vizave tregon një lloj embargo sanksionesh të pashpallura që BE-ja ua ka bërë pikërisht këtyre njerëzve që nuk e kanë luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e as nuk i kanë përmbushur kriteret e tjera, që janë kritere nominale për shtetet, të cilat aspirojnë integrimin në BE”, ka thënë ai.

Heqja e vizave, sipas Abazit, mund të ndodhë vetëm kur Kosova të mos ketë më institucione të kapura dhe lider me afera korruptive.

“Ideja e liberalizimit të vizave, ideja e anëtarësimit në UNESCO e në INTERPOL duhet të bëhen me pikën fillestare që të kemi institucione të shëndosha në vend. Nuk është një lobim ditor, por është llogaridhënia ndaj qytetarit, aty ku niset besueshmëria e institucioneve. Politika e jashtme është refleksion i politikës së brendshme, nuk është diçka e paketuar dhe kozmetikë”, ka shtuar ai.

LDK-ja premton heqjen e vizave nëse vjen në qeveri

Në anën tjetër ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka thënë për “Zërin” se me Vjosa Osmanin si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme heqja e vizave do të jetë çështje ditësh. Politika e Osmanit, sipas Avdylit, do të sjellë liberalizimin e vizave.

“Me Vjosa Osmanin kryeministre nuk besojmë se problemi i liberalizimit do të jetë temë më, sepse ajo me politikën e saj të mençur, me afërsinë e saj me faktorin ndërkombëtar që e ka pasur si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, me afërsinë e saj me SHBA-në dhe me shtetet e BE-së besojmë që çështja e liberalizimit do të përshpejtohet tepër shumë. Ne nuk mund të japim data të sakta, por besojmë që sa më shpejt që është e mundur dhe me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Nga gjithë liderët tjerë është Vjosa ajo që do ta arrijë liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Po ashtu, sipas tij, vetëm me LDK-në në krye të qeverisë do të jetë i mundur luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, që është kusht kryesor për heqjen e vizave.

“Po ashtu kur e kemi të qartë se Vjosa nuk është përgjegjëse për korrupsionin eklatant që i ka ndodhur Kosovës, besoj që fitorja e Vjosa Osmanit do të krijojë premisa të reja në luftimin e korrupsionit, që është një kusht për heqjen e vizave. Kështu që gjithsesi qytetarët e dinë se shpresa e vetme për liberalizim mbetet Vjosa Osmani”, ka shtuar tutje Avdyli.

Shtetet anëtare s’janë unike rreth heqjes së vizave për Kosovën

Kurse njohësi i çështjeve integruese nga instituti “Epik”, Demush Shasha, për “Zërin” ka deklaruar se shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos jeni unike sa i përket heqjes së vizave të Kosovës. Sipas tij, mungesa e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit ka rritur skepticizmin e shteteve anëtare.

“Znj. Mogherini më 30 gusht 2019 ka ripërsëritur qëndrimin e njohur të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Rrjedhimisht nuk mund të themi se deklaratën e saj nuk duhet parë si ndonjë zhvillim te ri ose si indikacion pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave. Vështirësia qëndron te Këshilli i Ministrave të BE-së ose te vendet anëtare, të cilat nga muaji shtator 2018 nuk kanë treguar vullnet politik për të marrë vendim pozitiv sa i përket liberalizimit vizave. Hezitimi i tyre qëndron te fakti se disa vende anëtare të BE-së nuk ndajnë vlerësimin e njëjtë me Komisionin Evropian, me theks të veçantë në mungesën e rezultateve në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë”, ka thënë ai.

Aktualisht sipas Shashës, nuk ka indikacione pozitive se heqja e vizave mund të ndodhë së shpejti.

“Nuk mund të themi se ka indikacione pozitive se Këshilli i BE-së do të marrë vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova tre vjet pas kërkesës për progres në kuadër të korrupsionit të nivelit të lartë nuk ka arritur ta përfundojë me sukses në gjykatë as edhe një rast të vetëm të korrupsionit të nivelit të lartë dhe e gjithë kjo me një mjedis ku Rezoluta e Parlamentit Evropian vlerëson se në Kosovë ekzistojnë elementet e shtetit të kapur e kur Raporti i Vendit e vlerëson se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa Kosova është vendi i fundit në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit”, ka shtuar Shasha.

Rrjedhimisht, sipas tij, kapja e sistemit të drejtësisë nga politika dhe rrjedhimisht nga mungesa e rezultateve në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë ndikon drejtpërdrejt në mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

“Po ashtu mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengesë indirekte, pasi vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si kriter themelor në kuadër të të gjitha proceseve integruese, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave”, ka theksuar ai./ZERI