Diaspora kërkon rrugë më të lehtë për të votuar
FOTO: Laura Hasani

Diaspora kërkon rrugë më të lehtë për të votuar

Zgjedhjet 2019 September 09, 2019 - 08:05
Lexoni detajet
Image

Prej datës 30 gusht deri në mesditën e 8 shtatorit (e diel) KQZ-ja ka pranuar 13 mijë aplikacione nga diaspora për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e 6 tetorit. Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e diasporës mbeten të zhgënjyer me trajtimin që po u bëhet nga klasa politika kosovare, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse qindra-mija qytetarë të Kosovës jetojnë në diasporë, të drejtën për të votuar në zgjedhjet që mbahen në Kosovë zakonisht e shfrytëzon një numër jo i kënaqshëm i tyre. Në kuadër të kësaj përfaqësuesit e diasporës vazhdojnë të mbeten të pakënaqur me trajtimin që po u bëhet nga ana e institucioneve.

LEXO EDHE: Kandidatë me aktakuza, edhe në zgjedhjet e 6 tetorit

Procesi i votimit, siç shprehen ata, do të duhej të bëhej më i lehtë për diasporën, rrjedhimisht qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës t’u mundësohet të votojnë nëpër ambasadat e Kosovës që gjenden në vendet përkatëse. Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të shmangeshin procedurat e stërzgjatura që ekzistojnë aktualisht dhe do të rritej numri i votuesve jashtë Kosovës.

Megjithëkëtë, deri dje në mesditë nga diaspora kanë aplikuar 13 mijë qytetarë për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që pritet të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Deri të dielën në mesditë, 13 mijë aplikacione nga diaspora

Afati për të aplikuar për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 30 gusht dhe do të përfundojë më 10 shtator të këtij viti.

Prej hapjes së afatit deri në mesditën e ditës së djeshme KQZ-ja ka pranuar gjithsej 13 mijë aplikacione nga diaspora për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës. Këtë e kanë konfirmuar për “Zërin” zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor.

“Prej 30 gushtit kur ka filluar ky proces deri në mesditën e së dielës (8 shtator) janë pranuar 13 mijë aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Këto aplikacione janë bërë përmes tri formave: nëpërmjet adresave elektronike (e-mail) të Shërbimit Votues të KQZ-së, përmes fahut postar të KQZ-së, si dhe fax-it të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Duke krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, ku periudha e aplikimit ka qenë vetëm 8 ditë, në zgjedhjet e 2019-s, siç ka bërë të ditur Elezi, periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës do të jetë gjithsej 12 ditë. Rrjedhimisht, afati për t’u regjistruar përfundon gjatë ditës së nesërme, më 10 tetor.

Premtimet e parealizueshme karshi diasporës

Avni Dervishi, politolog në Suedi dhe aktivist për forcimin e diasporës shqiptare në Evropë, ka vlerësuar se institucionet e Kosovës nuk kanë vepruar sa duhet sa i përket krijimit të lehtësirave për votuesit nga diaspora. Derisa ka folur për anashkalimin që i bëhet diasporës në vazhdimësi, Dervishi ka thënë se partitë politike japin premtime të llojllojshme në favor të diasporës vetëm para zgjedhjeve dhe gjatë verës, atëherë kur pjesa dërrmuese e qytetarëve që jetojnë jashtë vendin vijnë në Kosovë dhe kontribuojnë duke harxhuar miliona euro.

“Jashtë këtyre dy periudhave ne as nuk ekzistojmë për ta. Mund të krahasohet lirisht me barazinë gjinore ose fuqizimin e gruas, që për partitë politike në Kosovë këto çështje përfliten e premtohen ose më 8 mars, ose kur mbahen fushatat para zgjedhjeve. Domethënë nuk kanë besueshmëri”, ka potencuar ai gjatë një bisede për gazetën.

Ndërkaq Liza Gashi, udhëheqëse e organizatës “Germin” që merret me çështjen e diasporës, ka thënë se kjo organizatë ka kërkuar nga KQZ-ja të mos përsëriten problemet e zgjedhjeve të 2017-s, duke filluar nga ato më bazike siç është bllokimi dhe mospastrimi i e-mailit nga ana e zyrtareve. Por sipas Gashit sërish është bërë vonë sa i përket informimit të mjaftueshëm të votuesve të diasporës.

“Jemi me vonesë sa i përket pjesës për informim dhe edukim për votuesit jashtë vendit. Sado që duket një proces i lehtë, janë detaje të cilat votuesit jashtë vendit kanë nevojë për më shumë informata”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Votimi për diasporën, i vështirë

Kritika sa i përket trajtimit të diasporës ka dhënë edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Faton Topalli, i cili për një kohë të gjatë ka jetuar në diasporë. Me këtë rast ai ka thënë se procesi i votimit për qytetarët që jetojnë atje nuk është aspak i lehtë. “Sa i përket diasporës ekziston mundësia formale e votimit e rregulluar me ligj, por në praktikë votimi është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të procedurave të cilat i ka KQZ-ja e që ishte dashur të ndërroheshin”, ka deklaruar ai.

Ndonëse numri i qytetarëve në diasporë që kanë të drejtë vote është jashtëzakonisht i madh, shumica e tyre, siç Topalli është shprehur, asnjëherë s’kanë arritur të votojnë pikërisht për shkak të pengesave të cilat i kanë gjatë procesit të votimit.

Se procedurat për votim nga diaspora janë të ndërlikuara ka pohuar edhe kryetarja e KQZ-së Valdete Daka.

“Duhet ta cekim se procedurat e votimit jashtë Kosovës janë të ndërlikuara ligjërisht, pasi ashtu e kërkon ligji, por ne nuk mund t’i anashkalojmë këto procedura ngase tani do të kishim vërejtje nga subjektet politike. Afatet janë jashtëzakonisht të shkurtra, procedurat janë të komplikuara dhe kjo është ajo të cilën ne nuk mund të ndryshojmë pavarësisht dëshirës”, ka deklaruar Daka gjatë një interviste për radion “Evropa e lirë”.

Kërkesat e diasporës

Për dallim prej shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, shumë qytetarë të vendeve të tjera sipas politologut Avni Dervishi e kanë shumë më lehtë të votojnë në zgjedhje.

“Kur mbahej fushata para referendumit për Brexitin në Britani, u ftova ta monitoroj procesin. Në Londër kalova rastësisht afër një ndërtese ku diku dy-tre mijë njerëz qëndronin në radhë njëri pas tjetrit. I pyeta disa nga ta dhe më treguan se janë diasporë me prejardhje nga Rumania dhe po presin të votojnë brenda në ambasadën e tyre në Londër”, ka theksuar ai.

Një zgjidhje të tillë, që t’ia mundësojë diasporës që të votojë nëpër ambasada apo konsullata të Kosovës që gjenden në vendet ku jetojnë qytetarët, sipas tij duhet ta bëjnë edhe institucionet e Kosovës.

“Pse të mos ndikojë Kuvendi i Kosovës, Qeveria, që çdo ambasadë, konsullatë, qendër kulturore që paguhet nga buxheti i qeverisë kosovare, t’i hapë dyert për votuesit nga diaspora më shtetësi kosovare?”, ka theksuar Dervishi.

Ndërkohë Liza Gashi ka konsideruar se është e rëndësishme që ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet të aprovohen nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në një të ardhme të afërt.

“Në këtë drejtim është punuar së bashku me Komisionin për Legjislacion dhe hisedarë të tjerë gjatë vitit. Ky ligj do ta lehtësonte votimin jashtë vendit, duke ofruar edhe alternativa të tjera, si për shembull votimin në misionet diplomatike, për të gjithë shtetasit jashtë vendit”, ka potencuar ajo.

Edhe Faton Topalli ka konsideruar se qytetarëve nga diaspora do të duhej t’u mundësohej votimi nëpër ambasada ose institucione të tjera në vendet ku ata jetojnë, në mënyrë që të rritej numri i votuesve ngaqë jetojnë jashtë Kosovës. Por një gjë të tillë sipas tij nuk e lejon Ligji për Zgjedhje. Ndaj një praktikë e tillë, siç Topalli ka deklaruar, duhet të ndryshojë me legjislaturën e ardhshme.

Pavarësisht pengesave dhe vështirësive, ministri i Jashtëm në dorëheqje Behgjet Pacolli, u ka bërë thirrje qytetarëve të diasporës që të aplikojnë për t’u regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Diaspora sipas tij duhet të bëhet pjesë e vendimmarrjes dhe e formësimit të ekonomisë në Kosovë./ZERI

Të rekomanduara