Kandidatë me aktakuza, edhe në zgjedhjet e 6 tetorit
FOTO: Laura Hasani

Kandidatë me aktakuza, edhe në zgjedhjet e 6 tetorit

Zgjedhjet 2019 September 09, 2019 - 08:00
Lexoni detajet

 

Image

Në listat e kandidatëve për deputetë nga partitë politike janë radhitur edhe persona, të cilët kanë probleme me ligjin. Meqë në aspektin juridik kandidimi i personave me aktakuza nuk është i ndaluar, njohësit e drejtësisë kërkojnë nga subjektet politike që kandidimin e tyre ta ndalojnë me rregullore e me statute të partive, shkruan sot gazeta "Zëri"

Edhe pse krerët e partive politike në vend ka kohë që kanë proklamuar dekriminalizimin e politikës, një gjë të tillë ndonëse e kanë mundësinë nuk po e bëjnë tash në prag të zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen më 6 tetor. Në listat e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike gjenden jo pak persona që po hetohen për probleme me ligjin, persona që kanë qenë të dënuar për vepra penale ose kanë aktakuza të ngritura për “Korrupsion”. Pal Lekaj, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj e Gani Dreshaj janë disa nga kandidatë për deputetë në listën e koalicionit AAK – PSD, të cilët kanë probleme me ligjin. Partia Demokratike e Kosovës, kreu i së cilës i ka shpallur luftë korrupsionit, ka publikuar të dielën listën e kandidatëve për deputetë, në të cilën nuk ka përfshirë të tillë me aktakuza ose të dënuar për “Korrupsion”.

LEXO EDHE: Ndikimi i zgjedhjeve të shpeshta në ekonominë e Kosovës

Mirëpo në listë ka të dënuar për “Krime lufte” e për vepra të tjera penale, të cilat nuk kategorizohen si korruptive. Në listën e LDK-së postin e deputetit e pretendonte edhe Haki Raçi, tashmë i dënuar për “Korrupsion”, mirëpo kreu i LDK-së Isa Mustafa ka njoftuar se personat që kanë pasur ose kanë probleme me ligjin do të nxirren nga lista. Ndërsa në listën e Lëvizjes Vetëvendosje Jetmira Vrenezi do të kandidojë për deputete, e cila aktualisht është nën hetime për “Keqpërdorim detyre”.

Në koalicionin Nisma - AKR kandidat për deputetë do të jetë edhe ish-ministri Endrit Shala, i dënuar për “Armëmbajtje pa leje”. Edhe pse kandidimi për deputetë i personave të dënuar ose me aktakuza nuk ndalohet me ligj, aspekti etik po konsiderohet si element parësor që do të duhej t’i ndalonte këta persona të marrin pozita udhëheqëse e përfaqësuese në vend.

Vetëm partitë mund t’i mbajnë larg listave zgjedhore kandidatët me aktakuza

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, çdo person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës. Kësisoj, njohës të çështjeve juridike në vend theksojnë se nuk mund të rregullohet me ligj kandidimi ose jo për deputetë të personave që kanë aktakuza, sepse një gjë e tillë do të ishte shkelje e të drejtave universale të njeriut.

Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, ka thënë për “Zërin” se këtë problem do ta rregullonin vetëm statutet ose rregulloret e partive politike.

“Nuk mund të bëhet asnjë lloj ligji që do t'ua ndalonte kandidimin këtyre personave për shkak se është parim ndërkombëtar që një person të konsiderohet i pafajshëm derisa nuk konstatohet ndryshe me aktgjykim të prerë nga gjykata kompetente. Mirëpo partitë politike me rregulloret ose me statutet e tyre mund të parashohin një dispozitë, që ua ndalon kandidimin personave që kanë probleme me ligjin ose ndaj të cilëve ka aktakuzë, për shkak se ngritja e saj bëhet në bazë të provave të qëndrueshme e të besueshme”, ka potencuar Salihu.

Personat me aktakuza, rrezik për legjislaturën e ardhshme

Kandidimi i personave me aktakuza dhe zgjedhja e tyre në zgjedhjet e 6 tetorit mund të jetë problem për legjislaturën e ardhshme. Kështu vlerësojnë analistët, të cilët theksojnë se ngritja e tyre në pozita shtetërore mund të jetë me pasoja.

“Përderisa rikandidohen ata ose ato që kanë aktakuza, apriori paragjykohet struktura e mundshme e Kuvendit të ardhshëm që do të jetë strukturë problematike edhe nga brenda edhe nga jashtë”, ka thënë njohësi i çështjeve kushtetuese Riza Smaka.

Ndërsa analisti politik Mazllum Baraliu thekson se keqqeverisja mund të vazhdojë në rast se u jepet mundësi personave që kanë probleme me ligjin të luajnë rolin e ligjvënësit.

“Janë disa subjekte politike që pavarësisht asaj çfarë kanë pasur në pushtet personat me aktakuza ende nuk i kanë larguar. Kjo flet shumë për një avaz, i cili mund të vazhdojë edhe më tutje në keqqeverisje dhe një gjë e tillë është brengosëse”, ka deklaruar Baraliu.

Partitë, pa parime morale

Ndonëse në aspektin juridik kandidimi i personave me aktakuza nuk shfaq problem, analistë e njohës të çështjeve juridike në vend theksojnë se në aspektin moral kandidimi i tyre shpërfaq joseriozitet dhe joetikë nga partitë.

Analisti Mazllum Baraliu thekson se një gjë e tillë është brengosëse dhe e humb besimin e qytetarëve në institucionet e në mekanizmat shtetërorë.

“Nga këndvështrimi etiko-moral dhe besueshmëria që duhet ta kenë në opinion veçanërisht ata që pretendojnë ta marrin qeverinë dhe pushtetin, kjo është shumë shqetësuese. Partitë duhet të kenë parime e të mos lejojnë asnjë kandidat të tillë në listat e tyre zgjedhore”, ka thënë ai.

E profesori Riza Smaka ka thënë për gazetën se nëse jo në aspektin juridik, partitë dhe kandidatët për deputetë do të duhej ta kenë në konsideratë aspektin moralo-etik.

“Ndryshe nga aspekti juridik, këtu komponent shumë relevant është morali. Ata dhe ato që ndodhen nën aktakuza nuk do të duhej të kandidonin dhe as nuk do të duhej të kandidoheshin nga partia. Këtu bëhet fjalë për juridikun dhe etikën, prandaj personat e tillë duhet të reflektonin”, ka thënë Smaka.

Ndërsa profesori Salihu potencoi se në radhë të parë kandidatët për deputetë duhet të kenë integritet për ta përfaqësuar popullin.

“Në aspektin juridiko-penal kjo nuk është pengesë, mirëpo në aspektin politiko-moral, në aspektin e integriteti e të relacionit mes kandidatit e elektoratit kjo është e dëmshme. Në vendet e zhvilluara me demokraci kjo nuk ndodh. Për shkak se personi i cili kandidohet për deputet ai në radhë të parë duhet të ketë integritet personal dhe me integritet nënkupton që ai duhet të jetë i pastër në raport me ligjin, të mos jetë i kriminalizuar, i dyshuar, i përndjekur ose ish i dënuar e të tjera”, ka thënë Salihu./ZERI

Të rekomanduara