Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Vjosa Osmanit i duhet përkrahja e parezervë nga partia, njëkohësisht ajo duhet të tregojë aftësi për udhëheqje

Zërat August 26, 2019 - 20:02
Lexo Detajet

Pas nominimit si kandidate për kryeministre të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani foli siç ka folur deri më tani: me vendosmëri dhe premtime që zgjojnë shpresat e qytetarëve. Ajo tha se LDK «do ta nxjerrë vendin nga humnera ku e kanë vendosur njerëz të pandërgjegjshëm e të korruptuar, që asnjëherë interesin e qytetarit s’e kanë pasur prioritet. I garantoj qytetarit se asnjëherë nga sot nuk do të ndihen se s’kanë zë. Në veçanti, nënat, gratë, vajzat. Kjo është alternativa e vetme për të shpie vendin përpara».

Nominimi i Vjosa Osmanit vjen pas tensioneve të dukshme në LDK. Dukej se sidomos Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, për shumë vite nënkryetarë të partisë, nuk ishin të lumtur që Osmani do të jetë kandidate për kryeministre. Qëndrimi i tyre është në kundërshtim me pritjet jo vetëm të një pjese të madhe të elektoratit të LDK-së, por edhe të qytetarëve të tjerë që kërkojnë ndryshime rrënjësore në politikë dhe e LDK shohin partinë që mund të hapë një faqe të rë dhe pozitive të historisë së Kosovës.

Me bojkotimin e mbledhjes së LDK-së të premten Lutfi Haziri ka arritur të detyrojë kryetarin Isa Mustafa që t’i japë rol edhe më të madh në parti. Haziri do të jetë, siç u tha, bartës i fushatës elektorale. Se çfarë domethënë kjo konkretisht mbetet të shihet. A do të vendosë ai, për shembull, për koalicionet e ardhshme? Dhe cilat do të jenë preferencat e tij? Një aleancë me Lëvizjen Vetëvendosje, me AAK-në e Ramush Haradinajt apo prapë me PDK-në, e cila ka humbur mbështetjen e elektoratit për shkak të qëndrimit të gjatë në pushtet dhe trashëgimisë së saj politike – ajo trashëgimi është e errët dhe ndërlidhet me korrupsion, keqpërdorime, papërgjegjësi. Kryetari i kësaj partie Kadri Veseli nuk po arrin ta kalojë pragun e seriozitetit. Kur thotë se do ta luftojë korrupsionin, qytetarët shkunden së qeshuri.

Segmentet nëntokësore të PDK-së, të cilat kanë përvojë të gjatë në lidhjen e koalicioneve nëpër qoshe jashtëinstitucionale, do të provojnë edhe kësaj radhe ta kthejnë LDK-në në taborin e tyre. Si do të sillet Lutfi Haziri nëse Kadri Veseli i thotë se e ka përkrahjen e PDK-së për të qenë kryeministër? Këtu nuk duhet përjashtuar edhe roli i Hashim Thaçit, mjeshtrit të të gjitha kurtheve dhe intrigave politike që nga çlirimi i Kosovës. Këtu, për fat të keq, nuk duhet përjashtuar as roli i atyre që quhan shtete mike dhe që janë të interesuara që Kosova të vazhdojë të qeveriset nga politikanë të shantazhueshëm. Sepse ata që janë të shantazhueshëm japin gati çdo gjë për të shpëtuar lëkurën e vet.

Vjosa Osmani tani ka nevojë për përkrahje të parezervë nga partia. Nëse grupe brenda LDK-së më shumë investojnë në krijimin e situatave për dështimin e Vjosa Osmanit se sa në fitimin e zgjedhjeve me një kandidate mjaft të popullarizuar në opinion, atëherë LDK-në nuk e presin ditë të mira. Njëkohësisht Osmani duhet të tregojë aftësi për udhëheqje dhe talent për të qenë figurë unifikuese. Me kandidaturën e saj të parakohshme kundër Isa Mustafës para katër vitesh ajo ka krijuar edhe kundërshtar, në mos edhe armiq brenda partisë. Kundër saj qarkullojnë mjaft akuza, të cilat nuk kanë të bëjnë me të personalisht, por në shoqërinë tonë patriarkale shpesh individi nuk ndahet nga klani apo familja.

Me Vjosa Osmanin lidhen shumë shpresa për shkak se ka qenë mjaft kritike ndaj sistemit të kalbur dhe kriminal që e ka ndërtuar PDK – edhe me ndihmën e mediave të shitura, të cilat interes primar kanë trashësinë e xhepit me para të vjedhura dhe e ndërrojnë gëzofin sipas motit politik. Po u tregua e shkathtë dhe e aftë për të dëgjuar kritikët dashamirës, Osmani mund të hapë një rrugë të mbarë në politikë, por është e tepërt që ajo të krahasohet me Angela Merkelin dhe figura të tjera.

Kryeministrja Vjosa Osmani dhe – ta zëmë – zëvendëskryeministri Albin Kurti – që në ditën e parë të marrjes së pushtetit do të ballafaqohen me kërkesa të vështira. E para është: heqja e tarifave ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe. E dyta: dialogu me Serbinë. Në këtë dialog do të përpiqet të luajë rol edhe Hashim Thaçi, ai që tinëz liderëve të tjerë ka filluar negociatat për prishjen e kufijve të Kosovës. E treta: çdo kryeministre apo kryeministër pas zgjedhjeve të tetorit do të ballafaqohet me gjendjen e rëndë që e kanë lënë pas në administratë qeveritë e PDK-së dhe AAK-së. Kosova është vend i varfër, mijëra njerëz mendojnë të emigrojnë, Kosova nuk prodhon pothuaj asgjë, shumë ndërmarrje publike pothuaj janë shkatërruar, ato pak ndërmarrje që ishin profitabile gjenden para falimentimit, sistemi arsimor e shëndetësor janë para kolapsit.

Këto probleme do ta kishte vështirë t’i zgjidhte edhe Angela Merkel me buxhetin e Gjermanisë. Po Vjosa Osmani? Po u bë kryeministre, ajo duhet të mbështetet (nëse e meriton), por as ajo dhe askush nuk do të mund të zgjidh problemet me shkop magjik. Sepse dëmi që ka shkaktuar i ashtuquajturi krah i luftës është i tmerrshëm. Rrjedhimisht, edhe kohërat e ardhshme nuk do të jenë të arta. Mjafton të mos jenë të tmerrshme si deri më tani. Tash për tash e vetmja gjë që mund të thuhet sa i përket pritjeve ndaj Vjosa Osmanit është kjo: Kosova ka shans të nisë një ndërrim gjeneratash në politikë.

Shkruan: Enver Robelli

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK