Goli ndaj Finlandës dhe një rrëfim emocional, Muçi: Kam vuajtur shumë
Ernest Muçi po përjeton një nga periudhat më të mira me fanellën kuqezi.
Sulmuesi ishte protagonist në fitoren 2-0 ndaj Finlandës, duke shënuar golin e parë të takimit dhe duke konfirmuar formën e mirë që po kalon.
Futbollisti shqiptar nuk e fsheh kënaqësinë për momentin aktual, por thekson se rruga deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë.
Vështirësitë dhe sakrificat kanë qenë pjesë e karrierës së tij, ndërsa sot ndihet më i vlerësuar dhe më i besuar në ambientin e Kombëtares.
“Momenti më i mirë në Kombëtare? Po, ky është momenti kur ndiej besimin e shokëve të ekipit, trajnerit dhe tifozëve. Kam kaluar shumë për të arritur këtu”, u shpreh Muçi.
Sulmuesi vlerësoi gjithashtu paraqitjen kolektive të Shqipërisë, duke e konsideruar një nga ndeshjet më të mira të skuadrës.
“Sot kishim katër mesfushorë në mesfushë. Kemi bërë një nga ndeshjet më të mira”, theksoi ai.
Goli ndaj Finlandës është një tjetër konfirmim i momentit pozitiv të Muçit, i cili po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në planet e Kombëtares.
Pas një rruge me pengesa, sulmuesi duket se po shijon frytet e sakrificave të tij.