Joan Garcia e mbron stilin e Barcelonës: Forca jonë është mbajtja e topit
Portieri i Barcelonës, Joan Garcia, ka dalë në mbrojtje të stilit të lojës së skuadrës së Hansi Flickut, duke theksuar se rreziqet që sjell mbrojtja e avancuar janë pjesë e filozofisë së ekipit.
Në një intervistë për “Mundo Deportivo”, gardiani spanjoll ka thënë se ndihet komod me këtë mënyrë loje dhe se është i gatshëm të marrë përgjegjësi për të ndihmuar skuadrën.
“Me stilin që kemi, portieri duhet të jetë gjithmonë i përqendruar dhe i vëmendshëm për të ndihmuar ekipin. Është e vërtetë që përfshin rrezik të madh, por mendoj se është dëshmuar se ia vlen. Do të shpëtosh shumë më tepër raste sesa do të bësh gabime”, deklaroi Garcia.
Ai gjithashtu theksoi se mbrojtja nuk është përgjegjësi vetëm e repartit defensiv, por e gjithë skuadrës.
Sipas tij, nëse futbollistët ofensivë nuk përfshihen në presion, mbrojtësit mbeten të ekspozuar.
Garcia foli edhe për mënyrën se si Barcelona duhet t'i mbyllë ndeshjet, duke theksuar se posedimi i topit është arma më e mirë e katalonjasve.
"Shumëkush mendon se duhet të tërhiqemi dhe të mbrohemi, por forca e këtij ekipi është mbajtja e topit. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për t'i mbyllur ndeshjet”, përfundoi ai. /Zëri