Pedri e zbulon admirimin për Messin: Është më i miri në histori

Pedri e zbulon admirimin për Messin: Është më i miri në histori

Sport October 24, 2026 - 08:52

Mesfushori i Barcelonës, Pedri, ka folur me admirim për Lionel Messin, duke e cilësuar argjentinasin si futbollistin më të mirë në histori.

Ai gjithashtu ka zbuluar se do të dëshironte që legjenda e Barcelonës të merrte një lamtumirë madhështore në Camp Nou.

“Një vit me të ishte shumë pak”

Pedri ka kujtuar periudhën kur luante përkrah Messit te Barcelona, duke pranuar se do të dëshironte të kishte kaluar shumë më tepër kohë me të.

“Pata fatin të luaja me të, por një vit m’u duk shumë i shkurtër. Do të doja të kisha kaluar shumë vite të tjera me të. Mësoja vetëm duke e shikuar në stërvitje dhe në ndeshje. Ndonjëherë nuk kishte nevojë të të thoshte asgjë”, u shpreh spanjolli.

“Për mua, ai është më i miri në histori. E di që disa kanë mendim tjetër, por unë nuk kam parë asgjë të ngjashme me të”, shtoi Pedri.

Kërkon një lamtumirë të veçantë për Messin

Mesfushori i Barcelonës mendon se klubi katalunas duhet t’i organizojë Messit një ceremoni të denjë lamtumire, për ta nderuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

“Ai e meriton një lamtumirë që pasqyron madhështinë e tij te Barcelona. Është futbollisti më i mirë që ka kaluar në këtë klub”, theksoi Pedri.

Spanjolli zbuloi gjithashtu se admirimi për Messin ndikoi edhe në simpatinë e tij për kombëtaren e Argjentinës.

Sa herë që Spanja eliminohej nga një turne, ai bënte tifo për argjentinasit për shkak të dashurisë që kishte për yllin e tyre.

Madje, Pedri zbuloi se në futbollin argjentinas e përkrah Newell’s Old Boys, klubin me të cilin Messi ka një lidhje të veçantë. /Zëri