Interi përmbys Bolognan dhe rikthehet te fitorja, vendimtarë zëvendësimet e Chivut
Interi ka reaguar pas humbjes në Ligën e Kampionëve, duke e mposhtur Bolognan me rezultat 3-1 në udhëtim, në kuadër të javës së shtatë të Serie A.
Zëvendësimet e trajnerit Cristian Chivu rezultuan vendimtare për fitoren e zikaltërve.
Bologna kaloi në epërsi në minutën e 10-të me Tommaso Pobegan, pas një gabimi në mbrojtjen e Interit.
Zikaltërit reaguan në fund të pjesës së parë, kur Marcus Thuram barazoi në minutën e 44-t, me një goditje të bukur me kokë pas asistimit të Nicolo Barellas.
Në pjesën e dytë, Interi mori kontrollin e ndeshjes. Carlos Augusto, i futur në lojë nga Chivu, shënoi golin e përmbysjes në minutën e 69-të, vetëm pak çaste pas inkuadrimit.
Një tjetër zëvendësim rezultoi vendimtar: Ange-Yoan Bonny realizoi golin e tretë në minutën e 83-të, duke vulosur fitoren e mysafirëve.
Me këtë fitore, Interi shkon në kuotën e 19 pikëve dhe ngjitet përkohësisht në krye të Serie A, duke lënë pas krahëve zhgënjimin evropian.
Ndërkohë, trajneri Chivu merr sinjale pozitive nga lojtarët e tij, veçanërisht nga ata që u aktivizuan gjatë ndeshje. /Zëri