Lautaro i thumbon ish-shokët te Interi: Lukaku dhe Brozovic në shënjestër?

Lautaro i thumbon ish-shokët te Interi: Lukaku dhe Brozovic në shënjestër?

Sport October 17, 2026 - 11:03

Kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, ka rikthyer në vëmendje Botërorin e vitit 2022, duke zbuluar se disa bashkëlojtarë të tij në klub mendonin më shumë për Kupën e Botës sesa për interesat e skuadrës.

Në një intervistë për kanalet zyrtare të Federatës Argjentinase të Futbollit, sulmuesi theksoi se, pavarësisht problemeve fizike, ai nuk dëshironte të mungonte në stërvitje apo ndeshje.

“Unë nuk dua të humbas asnjë stërvitje dhe asnjë ndeshje. Në atë periudhë, tre apo katër bashkëlojtarë te Interi kishin gjithashtu probleme fizike dhe mendonin më shumë për Botërorin sesa për klubin”, deklaroi Lautaro.

Ai shtoi se ndihej përgjegjës ndaj Interit dhe nuk dëshironte ta braktiste skuadrën në një moment të vështirë.

Ndonëse Lautaro nuk përmendi emra, mediat italiane dyshojnë se bëhet fjalë për Romelu Lukakun dhe Marcelo Brozovicin.

Të dy kishin pasur probleme fizike në periudhën para Botërorit të Katarit, duke kufizuar minutat e tyre me fanellën zikaltër.

Lautaro, në anën tjetër, kishte vazhduar të luante pavarësisht dhimbjeve në kyçin e këmbës, problem që ndikoi edhe në paraqitjet e tij në Katar. /Zëri