Gerrard kërkon dënime të ashpra për Manchester Cityn: “Duhet të vuajnë për 9-10 vjet abuzimi me pushtetin”

Gerrard kërkon dënime të ashpra për Manchester Cityn: “Duhet të vuajnë për 9-10 vjet abuzimi me pushtetin”

Sport October 13, 2026 - 16:07

Steven Gerrard ka kërkuar sanksione të ashpra dhe afatgjata për Manchester Cityn, pas vendimit të komisionit të pavarur që e shpalli klubin fajtor për shkelje të rënda të rregullave financiare të Premier League gjatë periudhës 2009–2018.

Ish-kapiteni i Liverpoolit nuk mendon se City duhet të dërgohet në Championship apo t’i hiqen titujt e fituar, por insiston se dënimi duhet të jetë aq i rëndë sa të shërbejë si shembull për futbollin anglez.

“Nevojiten sanksione për disa vite. Nuk mendoj se dërgimi i tyre në Championship është zgjidhja e duhur për kampionatin. Nuk do të ishte e mjaftueshme, sepse ata do të riktheheshin shpejt në nivelin konkurrues”, është shprehur Gerrard në emisionin Overlap Daily.

Legjenda e Liverpoolit ka propozuar ndalimin e transferimeve dhe zbritjen e pikëve për një periudhë të caktuar, në mënyrë që klubi nga Manchesteri të përballet me pasoja serioze.

“Duhet t’i bëjmë të vuajnë, ashtu siç kanë bërë të vuajnë të gjithë të tjerët për nëntë apo dhjetë vjet, duke abuzuar me pushtetin e tyre. Duhet të japim një shembull”, ka deklaruar anglezi.

Gerrard ka kujtuar gjithashtu se nuk do të pranonte një medalje të titullit të Premier League në rast se titujt e Manchester Cityt do të anuloheshin në mënyrë retroaktive.

Ai e ka pranuar se nuk e ka fituar kurrë kampionatin anglez dhe është pajtuar me këtë fakt, duke iu referuar edhe sezonit 2013/14, kur Liverpooli e humbi titullin në garën me Cityn.

Megjithatë, ish-mesfushori ka theksuar se, nëse Liverpooli do të gjendej në një situatë të ngjashme, me shumë gjasë do ta mbronte klubin e tij.

Sipas tij, megjithatë, futbolli ka nevojë për masa të rrepta për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e garës.

Çështja e dënimit të Manchester Cityt mbetet një nga temat më të rëndësishme të futbollit anglez, ndërsa sanksionet përfundimtare pritet të përcaktohen në një fazë të veçantë të procedurës disiplinore. /Zëri