Familja e këshilloi Ronaldon të largohej në heshtje nga Kombëtarja

Familja e këshilloi Ronaldon të largohej në heshtje nga Kombëtarja

Sport October 09, 2026 - 11:15

Familja e Cristiano Ronaldos i ka këshilluar yllit portugez t’i japë fund aventurës me Kombëtaren e Portugalisë në mënyrë të qetë, pa krijuar polemika të tjera.

Sipas gazetarit portugez Luis Vilar, i cili foli për televizionin “Al-Arabiya”, familjarët e kapitenit të Al-Nassrit mendojnë se ka ardhur koha që ai të tërhiqet nga kombëtarja dhe ta mbyllë këtë kapitull të karrierës së tij.

“Familja e Ronaldos këtë herë i ka këshilluar të tërhiqet dhe ta përfundojë aventurën në heshtje”, deklaroi Vilari.

Gazetari shtoi se Ronaldo ende e ka të vështirë ta pranojë se koha e tij në futboll po shkon drejt fundit, ndonëse mbetet një simbol i jashtëzakonshëm për Portugalinë.

“Ronaldo nuk mund ta pranojë që koha e tij në futboll ka përfunduar, edhe pse duhet ta njohë vlerën e tij të jashtëzakonshme si simbol i Portugalisë”, u shpreh ai.

Sipas Vilarit, një pjesë e opinionit publik mendon se egoja dhe kërkesat personale të yllit portugez po e shtyjnë drejt vendimeve të gabuara, përfshirë edhe vazhdimin e karrierës pavarësisht rënies së nivelit teknik dhe fizik.

Përplasja me Jorge Jesusin

E ardhmja e Ronaldos me Portugalinë është vënë në pikëpyetje pas përplasjes me përzgjedhësin Jorge Jesus.

Sipas raportimeve, mosmarrëveshja lidhet me premtimet që trajneri dyshohet se nuk i ka mbajtur, duke çuar në largimin e sulmuesit nga grumbullimi i kombëtares.

Ronaldo ka shpjeguar se vendosi të largohej pasi ndjeu se besimi mes tij dhe trajnerit ishte thyer.

Megjithatë, ai ka kërkuar falje për mënyrën se si e braktisi grumbullimin dhe ka pranuar se duhet të mbajë përgjegjësi për veprimin e tij.

Pavarësisht krizës, 41-vjeçari ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit, duke theksuar se dëshiron të vazhdojë të garojë dhe të fitojë me Portugalinë, nëse është në gjendje të mirë fizike.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse kjo përplasje do të shënojë fundin e karrierës së tij ndërkombëtare apo nëse Ronaldo do të rikthehet për ta përfaqësuar sërish vendin e tij. /Zëri