Toni Kroos i kthehet futbollit? Gjermani e nis rrugëtimin për t’u bërë trajner

Toni Kroos i kthehet futbollit? Gjermani e nis rrugëtimin për t’u bërë trajner

Sport October 08, 2026 - 22:52

Toni Kroos mund të rikthehet në futboll, por këtë herë në një rol krejtësisht tjetër.

Ish-mesfushori i Real Madridit po shqyrton seriozisht mundësinë për të nisur karrierën si trajner.

Sipas "AS", Kroos e ka informuar Federatën Spanjolle të Futbollit për dëshirën për të marrë pjesë në kursin e trajnerëve për ish-futbollistët profesionistë, që do të zhvillohet gjatë sezonit 2027/28.

Gjermani tashmë e zotëron një licencë që i lejon të punojë në nivele të caktuara të futbollit, ndërsa hapi i radhës do t’i mundësonte të avancojë drejt licencës A të UEFA-s.

Kroos, i cili i dha fund karrierës si futbollist në vitin 2024, aktualisht është i angazhuar me akademinë e tij në Boadilla, pranë Madridit.

Tani, dy vite pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, ai po mendon gjithnjë e më shumë për një të ardhme në pankinë.

Ish-mesfushori gjerman dëshiron të ecë hap pas hapi, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje për të marrë drejtimin e ndonjë skuadre.

Në të kaluarën, Real Madridi ka shqyrtuar edhe mundësinë e rikthimit të tij në strukturat e klubit.

Kroos ka punuar gjatë karrierës nën drejtimin e trajnerëve si Carlo Ancelotti, Pep Guardiola dhe Jupp Heynckes, ndërsa eksperienca e tij në nivelet më të larta mund t’i shërbejë në aventurën e re. /Zëri