Procesi për vdekjen e Maradonës, kërkohen 12 vite burg për neurokirurgun Luque
Procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës ka hyrë në fazën përfundimtare në Gjykatën e San Isidros, në provincën e Buenos Airesit.
Prokuroria ka kërkuar 12 vite burg për neurokirurgun Leopoldo Luque, një nga të akuzuarit kryesorë dhe mjeku që drejtonte ekipin përgjegjës për kujdesin ndaj Maradonës gjatë trajtimit në shtëpi.
Luque akuzohet për vrasje të thjeshtë me dashje eventuale.
Në fjalimin përfundimtar, prokurori Patricio Ferrari bëri një akuzë të ashpër ndaj ekipit mjekësor.
Sipas tij, më 11 nëntor 2020, Maradona ishte një pacient në gjendje jashtëzakonisht të rrezikshme dhe mjekët e larguan nga klinika për ta dërguar në një shtëpi që nuk kishte kushtet e nevojshme për trajtimin e tij.
“Maradona ishte një bombë me sahat. U hoqën qafe prej tij dhe e çuan në atë shtëpi, ku 14 ditë më vonë vdiq”, deklaroi Ferrari.
Prokurori theksoi se në shtëpi mungonin pajisje dhe materiale bazë mjekësore, duke përmendur dorezat, garzat, serumet, një çantë të ndihmës së shpejtë, defibrilatorin dhe ambulancën.
Sipas akuzës, Maradona nuk ishte një pacient që vdiq papritur nga një problem i paparashikueshëm, por një person me një gjendje shumë komplekse mjekësore, ndërsa kujdesi që iu ofrua ishte i papërshtatshëm dhe rriti rrezikun për jetën e tij.
Përveç Luques, në proces janë edhe gjashtë persona të tjerë nga stafi mjekësor: psikiatrja Agustina Cosachov, psikologu Carlos Díaz, infermieri Ricardo Almirón, koordinatori i infermierëve Mariano Perroni, koordinatorja e Swiss Medical Nancy Forlini dhe mjeku Pedro Di Spagna.
Për Forlini është kërkuar dënim me 10 vite burg, ndërsa për Cosachov 8 vite.
Për tre të akuzuar të tjerë prokuroria ka kërkuar dënime nga katër deri në pesë vite, ndërsa për Pedro Di Spagnën ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj tij.
Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare, disa javë pasi ishte operuar për një hematomë subdurale në tru.
Tani pritet të paraqesin argumentet e tyre avokatët e palëve civile dhe më pas mbrojtja e shtatë të akuzuarve, përpara vendimit të gjykatës. /Zëri