Adeyemi bind te Barcelona, pushimi strategjik mund ta dërgojë titullar ndaj Getafes
Karim Adeyemi është shndërruar në një nga surprizat më të këndshme të fillimit të sezonit te Barcelona, duke i larguar shpejt dyshimet që shoqëronin transferimin e tij.
Sulmuesi gjerman ka treguar që në javët e para të aventurës së tij në “Camp Nou” cilësitë që e karakterizojnë, veçanërisht shpejtësinë, driblimin dhe aftësinë për të bërë diferencën menjëherë në fushë.
Dyshimet për përshtatjen e tij dhe stilin më individualist të lojës, të cilat kishin shkaktuar edhe disa probleme gjatë periudhës së tij te Borussia Dortmundi, duket se tashmë janë lënë pas.
Transferimi i Adeyemit te Barcelona për 22 milionë euro, plus 7 milionë të tjera në formën e bonuseve, ishte shoqëruar me diskutime, por drejtuesit sportivë të klubit, të udhëhequr nga Deco, e konsideruan marrëveshjen si një mundësi të shkëlqyer në afatin kalimtar.
Hansi Flick, i cili e njihte mirë sulmuesin nga koha e tij me kombëtaren gjermane, besonte se Adeyemi kishte nevojë të dilte nga zona e tij e rehatisë për të rifilluar karrierën në drejtimin e duhur.
Trajneri gjerman e kishte bërë të qartë se 24-vjeçari duhet të jetë maksimalisht i përqendruar në mënyrë që të shfaqë potencialin e tij të plotë.
Adeyemi ishte pjesë e Gjermanisë në dy ndeshjet e para të këtij grumbullimi ndërkombëtar, ndaj Holandës dhe Serbisë.
Pas këtyre paraqitjeve, ai ka pushuar që nga 2 tetori dhe për këtë arsye nuk ishte pjesë e stërvitjes së parë të ekipit pas nëntë ditësh pushim.
Në këtë seancë u paraqitën lojtarë si Wojciech Szczesny, Gavi, Eric Garcia, Gerard Martin, Gabriel Jesus, Brian Farinas dhe Alejandro Balde, ndërsa Raphinha, Joan Garcia dhe Frenkie de Jong zhvilluan stërvitje individuale.
Ky pushim fizik mund të rezultojë vendimtar për Adeyemin. Gjermani pritet të rikthehet më i freskët se disa prej bashkëlojtarëve të tij, duke përfshirë Lamine Yamalin, ndërsa kjo i rrit ndjeshëm gjasat që ai të jetë titullar në ndeshjen e ardhshme të La Ligës ndaj Getafes. /telegrafi

