Mbappe për transferimin te Real Madrid: Gjithmonë kam dashur të vija

Mbappe për transferimin te Real Madrid: Gjithmonë kam dashur të vija

Sport September 18, 2026 - 09:14

Kylian Mbappe ka rrëfyer historinë e gjatë që parapriu transferimin e tij te Real Madrid, duke zbuluar se kishte mbajtur kontakte me presidentin e klubit, Florentino Perez, për rreth një dekadë.

Në një intervistë për “AS”, sulmuesi francez ka treguar se Perez i kishte përsëritur vazhdimisht se një ditë do të bëhej lojtar i Real Madridit.

“Ai është personi që më solli këtu. Kemi mbajtur kontakte për dhjetë vjet para se të vija. Gjithmonë më ka treguar afeksion dhe mirëkuptim për çdo vendim që kam marrë, qoftë pozitiv apo negativ për Real Madridin”, ka deklaruar Mbappe.

“Ai më thoshte gjithmonë se një ditë do të luaja për Real Madridin. Dhe ja ku jam tani, shumë i lumtur”, ka shtuar ai.

Mbappé ka thënë se, pavarësisht rolit të Perezin, madhështia e Real Madridit ishte në vetvete një arsye e mjaftueshme për të dëshiruar transferimin.

“Për të qenë i sinqertë, askush nuk ka nevojë të të bindë për të ardhur te Real Madridi”, është shprehur francezi.

Ai ka pranuar se kishte përjetuar zhgënjim në të kaluarën, kur transferimi nuk ishte realizuar, por ka theksuar se një futbollist duhet të fokusohet te e ardhmja.

“Natyrisht që kishte zhgënjim, por jeta e një futbollisti ka të bëjë me të ardhmen, jo me të kaluarën”, tha Mbappe.

Sulmuesi francez e ka përshkruar kalimin në Madrid si realizimin e një ëndrre të vjetër, ndërsa ka folur edhe për rëndësinë e fanellës së klubit.

“Nëse dëshiron të jesh pjesë e historisë së futbollit, në një moment duhet të luash për Real Madridin”, ka deklaruar ai.

Mbappé ka thënë se që nga ardhja në Spanjë është përshtatur me jetën në Madrid dhe me ambientin e klubit, duke e cilësuar Real Madridin si një nivel më të lartë në karrierën e një futbollisti.