Alvarezi nis përgatitjet me Atleticon, mes zërave për largim
Julian Alvarez ka nisur përgatitjet me Atletico Madridin, pavarësisht se e ardhmja e tij te klubi spanjoll vazhdon të jetë e paqartë.
Sipas MARCA-s, sulmuesi argjentinas ndodhet aktualisht me pushime në Ibiza, por që nga 1 gushti po ndjek programin e stërvitjeve të hartuar nga stafi teknik i Atleticos për futbollistët që kanë qenë të angazhuar me kombëtaret. Rikthimi i tij në stërvitje me skuadrën është planifikuar për më 10 gusht.
Ky zhvillim vjen pasi Alvarez i ka shprehur klubit dëshirën për t'u transferuar te Barcelona. Megjithatë, drejtuesit e Atletico Madridit kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend të negociojnë me rivalin e tyre në La Liga dhe synojnë ta mbajnë sulmuesin në ekip.
Pavarësisht spekulimeve të shumta rreth largimit, fakti që 26-vjeçari ka nisur përgatitjet individuale tregon se ai është i gatshëm t'i bashkohet skuadrës sipas planit dhe nuk synon të ushtrojë presion ndaj klubit duke munguar në stërvitje.
Në Atletico besojnë se Alvarez do të vazhdojë të sillet në mënyrë profesionale, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që një ofertë e rëndësishme nga një klub jashtë Spanjës të ndryshojë situatën para mbylljes së afatit kalimtar.
Sulmuesi argjentinas iu bashkua Atletico Madridit nga Manchester City dhe mbetet një nga lojtarët kyç në planet e Diego Simeones për sezonin e ri, nëse vazhdon të qëndrojë në "Metropolitano".