Remzi Ejupi: Granit Xhaka është simbol kombëtar, falë tij edhe Kosova ka hise në Botëror
Ish-presidenti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, ka vlerësuar lart kontributin e kapitenit të kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të rëndësishme të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Në një reagim publik, Ejupi shkroi se, ndonëse Kosova nuk arriti të kualifikohet në Kampionatin Botëror, Xhaka vazhdon t’i përfaqësojë denjësisht shqiptarët në skenën botërore.
“Anipse luan për Zvicrën, Graniti nuk i ka harruar asnjëherë rrënjët e tij dhe gjakun që i rrjedh nëpër vena. Ai vjen nga një familje patriotike, me babanë e tij, Ragipin, që ishte atdhetar i madh dhe i përndjekur në kohën e okupimit”, ka shkruar Ejupi.
Ai kujtoi edhe takimet personale me mesfushorin shqiptar, duke thënë se në një prej tyre i kishte ndarë një pllakatë me shqiponjën si simbol motivimi.
“Një djalë i thjeshtë, modest, i buzëqeshur, i kulturuar dhe mjaft i dashur. Ai është një gur i çmuar që duhet ta ruajmë si sytë e ballit, është një simbol kombëtar”, u shpreh Ejupi.
Sipas tij, Xhaka është një lider i lindur dhe ambasador i shqiptarëve kudo në botë, ndërsa theksoi se, përveç figurave të njohura të muzikës si Rita Ora dhe Dua Lipa, shqiptarët duhet të krenohen edhe me futbollistët që kanë promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe Lorik Cana.
“E luftëtari dhe i palodhshmi Xhaka është padyshim futbollisti më i mirë që e ka pasur ndonjëherë shqiptaria”, theksoi ai.
Në fund të mesazhit, Ejupi i uroi suksese Xhakës para përballjes me Lionel Messi, duke përfunduar: “Falë tij, edhe Kosova ka hise në Botëror. Faleminderit, Granit!”.
Shkrimi i plotë:
Ndonëse Kosova fatkeqësisht e lëshoi edhe rastin e dytë jetësor për t'u kualifikuar në një garë madhore, Granit Xhaka po na përfaqëson denjësisht krejt shqiptarëve në Amerikë.
Anipse luan për Zvicrën, Graniti nuk i ka harruar asnjeherë rrënjët e tij dhe gjakun që i rrjedh nëpër vena.
Ai vjen nga një familje patriotike, me babanë e tij, Ragipin, që ishte atdhetar i madh dhe i përndjekur në kohën e okupimit.
Me Granitin e kisha rastin të takohesha disa herë dhe ia ndava pllakatën me shqiponjë, duke e motivuar që të mos heq dorë nga ëndrrat dhe të na bëjë krenarë, siç na ka bërë gjithmonë dhe siç po na bën edhe tash.
Një djalë i thjeshtë, modest, i buzëqeshur, i kulturuar dhe mjaft i dashur.
Ai është një gurë i çmuar që duhet ta ruajmë si sytë e ballit, është një simbol kombëtar.
Një lider i lindur, një ambasador i shqiptarëve në Amerikë, një shqiponjë që po fluturon gjithandej, ku na njohin e ku s'na njohin, ku na duan e ku s'ba duan.
Nëse në muzikë mburremi me divat tona Rita Ora e Dua Lipa, ne duhet të mburremi edhe me futbollistët tanë që dhanë kontribut të çmuar për promovimin dhe njohjen e Kosovës në botë si vëllezërit Xhaka, Shaqiri, Behrami, Cana e të tjerët, të cilët Kosovën e kishin gjithmonë në zemër.
E luftëtari dhe i palodhshmi Xhaka është padyshim futbollisti më i mirë që e ka pasur ndonjëherë shqiptaria.
Para përballjes historike të mëngjesit të së dielës me më të madhin e të gjitha kohëve, Leo Messi, i uroj shumë suksese diamantit tonë, Granit Xhaka.
Falë tij, edhe Kosova ka hise ne Botëror. Faleminderit, Granit!