Granit Xhaka: Shpresoj që vajzat e mia të trashëgojnë ambicien dhe vullnetin tim
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka treguar një anë më personale të jetës së tij në një intervistë për bote.ch, duke folur veçanërisht për rolin e familjes dhe vlerat që dëshiron t’u transmetojë vajzave të tij.
Xhaka është baba i tri vajzave, Ayana, Laneya dhe Neyana, të cilat i ka me bashkëshorten Leonita Lekaj.
Pavarësisht karrierës së suksesshme në futboll dhe presionit të madh që sjell ajo, ai thotë se familja mbetet mbështetja e tij kryesore dhe një pikë orientimi në çdo vendim të rëndësishëm.
Futbollisti zviceran ka treguar se edhe sot, pavarësisht se është baba dhe afër moshës 34-vjeçare, kërkon këshilla nga prindërit dhe vëllai i tij Taulanti.
Sipas tij, me kalimin e viteve ka mësuar të jetë më i duruar dhe të mos kërkojë gjithçka menjëherë, siç bënte kur ishte më i ri.
Në shtëpi Xhaka përshkruhet si një njeri familjar.
Ka treguar se një nga gjërat më të çmuara në ambientin e tij është një pikturë ku shfaqen gruaja dhe fëmija i parë, një dhuratë nga një artist në Dubai.
Kur flet për vajzat e tij, Xhaka thotë se dëshiron t’u trashëgojë mbi të gjitha ambicien dhe vullnetin për të arritur qëllimet, edhe kur ato duken të vështira.
Ndërsa një tipar që nuk do të donte t’ua kalonte është padurimi, një cilësi që ai pranon se e ka pasur gjatë gjithë jetës.