New York Knicks shpallen kampionë të NBA pas 53 vitesh

New York Knicks shpallen kampionë të NBA pas 53 vitesh

Sport June 14, 2026 - 08:06

New York Knicks janë kampionët e rinj të NBA-së. Të udhëhequr nga një Jalen Brunson i jashtëzakonshëm, skuadra nga “Big Apple” mposhti San Antonio Spurs me rezultat 94:90 në ndeshjen e pestë të finales dhe siguroi titullin e parë kampion pas 53 vitesh pritje.

Brunson ishte heroi absolut i mbrëmjes, duke realizuar 45 pikë dhe duke vendosur një rekord të ri të klubit për numrin më të madh të pikëve të shënuara nga një lojtar i Knicks në një ndeshje të finaleve të NBA-së.

Ylli i New Yorkut e mori ekipin mbi supe në pjesën e dytë, ku realizoi 29 nga 45 pikët e tij, duke përmbysur një ndeshje që në shumë momente dukej se po shkonte në favor të Spurs.

Ai e mbylli sfidën me 14 realizime nga 27 tentativa, katër treshe, 13 gjuajtje të sakta nga vija e lirë, si dhe shtoi tre kërcime, tre asistime dhe dy vjedhje topi.

Knicks patën vështirësi të mëdha në pjesën e parë, duke realizuar vetëm 37 pikë dhe duke vuajtur përballë mbrojtjes së fortë të San Antonios. Victor Wembanyama dominoi nën kosh me pesë bllokime vetëm në pjesën e parë, ndërsa Spurs shkuan në pushim me avantazh.

Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pushimit. Brunson filloi të marrë kontrollin e ndeshjes, duke shënuar vazhdimisht në momentet vendimtare dhe duke rikthyer Knicks në garë.

San Antonio pati gjithashtu një paraqitje të shkëlqyer nga talenti i ri Dylan Harper, i cili realizoi 25 pikë, më së shumti në karrierën e tij, ndërsa Wembanyama e mbylli sfidën me një paraqitje solide në të dyja anët e parketit.

Megjithatë, as performancat e tyre nuk mjaftuan për të ndalur Brunsonin. Në minutat e fundit, organizatori i New Yorkut realizoi pikët vendimtare që i dhanë epërsinë ekipit të tij, ndërsa Knicks ruajtën avantazhin deri në sirenën përfundimtare.

Me këtë triumf, New York Knicks rikthejnë trofeun Larry O'Brien në qytet për herë të parë që nga viti 1973, duke i dhënë fund një pritjeje 53-vjeçare dhe duke shkruar një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e klubit. /telegrafi