Drita mposht Prishtinën e Re dhe afrohet edhe më shumë me titullin

Drita mposht Prishtinën e Re dhe afrohet edhe më shumë me titullin

Sport May 02, 2026 - 17:01

Drita është gjithnjë e më pranë festës së titullit kampion, deri në përfundim të kampionatit kosovar të futbollit kur kanë mbetur edhe katër xhiro. Skuadra gjilanase ka bërë një hap shumë të madh drejt mbrojtjes së titullit kampion në Superligën e Kosovës, pasi të shtunën ka mposhtur Prishtinën e Re me rezultat minimal 1:0.

Ndeshja e vlefshme për javën e tridhjetë e dytë të elitës së futbollit kosovar është zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.

Golin e vetëm të takimit e ka realizuar Besnik Krasniqi në minutën e dyzet nga pika e bardhë. Penalltia është fituar nga Kristal Abazaj, i cili është penguar brenda zonës nga mesfushori Cheick Doukoure. Gjyqtari Valon Bajgora ka akorduar menjëherë penallti.

Krasniqi është treguar i saktë nga njëmbëdhjetë metërshi dhe i ka dhënë epërsinë skuadrës gjilanase, e cila më pas ka arritur ta ruajë rezultatin deri në fund.

Merita të mëdha në këtë fitore ka pasur edhe portieri Faton Maloku, i cili ka bërë disa pritje vendimtare dhe e ka mbajtur portën të paprekur.

Me këtë triumf, Drita forcon pozitën e parë në tabelë me gjashtëdhjetë e tri pikë, tetë më shumë se Ballkani, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në anën tjetër, humbja e vështirëson shumë situatën e Prishtinës së Re në garën për mbijetesë. Skuadra mbetet në vendin e fundit me njëzet e tetë pikë dhe tashmë ka gjasa shumë të vogla për të qëndruar në elitë./rtk