UEFA vlerëson iniciativën e FFK-së për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

UEFA vlerëson iniciativën e FFK-së për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Sport March 11, 2026 - 10:42

UEFA e ka vlerësuar iniciativën e Federatës së Futbollit të Kosovës në një artikull të publikuar në faqen e saj zyrtare, ku janë prezantuar aktivitetet e federatave evropiane për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe promovimin e rolit të grave dhe vajzave në futboll.

Në këtë artikull, UEFA thekson se federatat kombëtare në mbarë Evropën kanë organizuar një sërë aktivitetesh për të vënë në pah kontributin e grave në futboll, përmes fushatave ndërgjegjësuese, tregimeve digjitale dhe ngjarjeve të veçanta që synojnë të frymëzojnë gjeneratat e reja të vajzave që të përfshihen në këtë sport.

Në mesin e këtyre iniciativave është përmendur edhe projekti i realizuar nga FFK-ja, e cila publikoi një video frymëzuese më 8 Mars me mesazhin “Fuqia jonë ndryshon lojën”, duke theksuar fuqinë dhe ndikimin e grave në zhvillimin e futbollit në Kosovë.

UEFA shkruan se në videon e FFK-së paraqiten disa prej figurave më të rëndësishme të futbollit të femrave në Kosovë, përfshirë kapitenen e Kombëtares së Kosovës, Erëleta Memeti, gjyqtaren e njohur kosovare Lumturie Muhadri, si dhe udhëheqësen e edukimit të trajnerëve në FFK, Sanije Krasniqi. Përmes historive dhe përkushtimit të tyre, videoja nënvizon lidershipin, pasionin dhe vendosmërinë e grave që po kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes së futbollit në Kosovë, thekson UEFA.

Artikulli i UEFA-s gjithashtu thekson strategjinë e saj për zhvillimin e futbollit të femrave, “Unstoppable”, e cila synon që deri në vitin 2030 futbolli të bëhet sporti ekipor më i luajtur nga vajzat dhe gratë në Evropë, duke krijuar më shumë mundësi për lojtare, trajnere dhe gjyqtare në të gjitha nivelet ./kultplus