Harta e Kosovës me flamurin serb shfaqet edhe në garën prestigjioze të volejbollit – reagon Federata

Harta e Kosovës me flamurin serb shfaqet edhe në garën prestigjioze të volejbollit – reagon Federata

Sport January 10, 2026 - 13:18

Gjatë ndeshjes së Challenge Cup-it në volejboll të zhvilluar në Danimarkë ndërmjet klubeve Holte dhe Crvena Zvezda, janë shfaqur mesazhe dhe simbole me përmbajtje politike dhe nacionaliste, që përfshinin edhe paraqitjen e hartës së Republikës së Kosovës me ngjyrat e flamurit serb si dhe me mbishkrimin “nuk ka dorëzim”, si dhe banerë të tjerë që shfaqnin pretendime territoriale ndaj shtetit të Kosovës.

Pamje të tilla, të shfaqura në një garë evropiane të volejbollit, kanë nxitur reagime të shumta, pasi bien ndesh me parimet themelore të sportit dhe me rregulloret që ndalojnë përdorimin e sportit si platformë për mesazhe politike apo provokuese.

Pas këtij rasti, ka reaguar Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK), e cila ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin e saj të plotë ndaj këtyre veprimeve. Në reagimin zyrtar, FVK thekson se shfaqja e mesazheve të tilla është e papranueshme dhe cenon drejtpërdrejt vlerat e respektit, fair-play-t dhe ndarjes së sportit nga politika.

Për këtë arsye, Federata e Volejbollit e Kosovës ka njoftuar se i është drejtuar zyrtarisht Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV), duke kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe të merren masa përkatëse ndaj përgjegjësve.