Kombëtarja shqiptare përgatitet në Barcelonë për sfidat ndaj Andorrës dhe Anglisë
Përfaqësuesja kuqezi po zhvillon grumbullimin në Barcelonë në prag të dy ndeshjeve të fundit të fazës kualifikuese për Botërorin 2026, ku Shqipëria do të përballet me Andorrën dhe Anglinë.
Stafi teknik dhe lojtarët janë të përqendruar maksimalisht në sfidën e parë ndaj Andorrës, e cila konsiderohet shumë e rëndësishme për rrugëtimin drejt Botërorit.
Sulmuesi Indrit Tuci, në një prononcim për Federaten Shqipëtare, është shprehur i kënaqur për rikthimin e tij në ekipin kombëtar, duke theksuar se përballja me Andorrën nuk duhet nënvlerësuar.
“Të them të drejtën ndihem shumë mirë dhe jashtëzakonisht i lumtur që jam sërish pjesë e kombëtares. Është një ndjesi e veçantë për çdo futbollist të veshë fanellën kuqezi, sidomos tani që kemi një mundësi reale për të shkuar në Botëror. Do të jap maksimumin tim, grupi më ka pritur ngrohtë dhe besoj se do të bëjmë paraqitje të mira në këto dy sfida,” – u shpreh Tuci.
Ai shtoi se atmosfera në skuadër është shumë pozitive dhe grupi po punon me intensitet të lartë në përgatitjet për sfidën ndaj Andorrës.
“Atmosfera është shumë e mirë, të gjithë kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe harmoni brenda grupit. Aktualisht fokusi është plotësisht te ndeshja me Andorrën, ndërsa më pas do të mendojmë për Anglinë. Po analizojmë me kujdes kundërshtarin, kemi parë disa video për të kuptuar mënyrën e lojës së tyre. Shpresoj që të arrijmë t’i realizojmë në fushë idetë dhe kërkesat e trajnerit,” theksoi sulmuesi.