
Pas debutimit te Kosova, Albian Hajdari: Merita të gjithë lojtarëve, të luajmë kështu edhe ndaj Suedisë
Lojtari më i ri i Kosovës Albian Hajdari thotë se bashkëlojtarët e kanë bërë të ndihet si në shtëpi, ndërsa duhet të jenë të fokusuar për përballjen me Suedinë.
Hajdari ishte ndër më të mirët në fushë gjatë barazimit 0-0 me Slloveninë, ku e ndali më së miri Benjamin Seskon.
Pas ndeshjes, ylli i Hoffenheimit në intervistë për “RTK”, deklaroi se është i lumtur që debutoi me portën e paprekur te fanella dardane.
“Definitivisht e kam ëndërruar ftesën. Unë jam lojtar emocional edhe pas fushës, e ndoshta e shfaqa shumë në fushë. Nuk po ndihna debutues sepse ekipi më ka pritur shumë mirë, si të jem këtu që një kohë të gjatë”.
“Të debutoj me portën e paprekur, është diçka e veçantë por meritat për të gjithë lojtarët”.
Ai e pranoi se ka biseduar shpesh me përzgjedhësin Franco Foda, ndërsa duhet të jenë të fokusuar për përballjen e ardhshme.
“Kam folur shpesh me Fodan në telefon, kem pasur bisedë shumë të mira dhe kur vendosa për Kosovën më ka pritur dhe uroi. Prej fillimi më tha ndihu si në shtëpi".
“E pashe që Suedia kishte humbur, për ata është gjithçka kundër nesh. Të shkojmë me këtë mentalitet që e kemi deri tash dhe të japim maksimumin, të bëjmë si në dy ndeshjet e fundit dhe besoj që do të bëhet më mirë”.
Përndryshe, ndeshja e zjarrtë mes Suedisë dhe Kosovës zhvillohet të hënën me fillim prej orës 20:45.