Zvicra shumë afër kualifikimit në Botëror, triumfon edhe ndaj Suedisë
Kombëtarja e Zvicrës ka marrë edhe fitoren e tretë radhazi në kualifikimet e Kupës së Botës, duke mposhtur në udhëtim Suedinë.
“Helvetikët” zhvilluan një tjetër paraqitje të shkëlqyer për të fituar me rezultat 0:2.
Suedia kishte rastet më të mira në pjesën e parë ndaj Zvicrës, por që Bergvall dhe Isak dështuan të shënojnë nga afërsia.
Ndërkohë, ishte kapiteni Granit Xhaka që me një gol nga pika e bardhë e zhbllokoi rezultatin dhe i dha epërsinë Zvicrës pas 65 minutave lojë.
Zvicra ishte më kërkuese pavarësisht që kishte avantazhin, kurse çështjen e fituesit e vulosi krejt në fund përmes të inkuadruarit Manzambi (90+4’).
Me këtë fitore, Zvicra mbledh nëntë pikë në grupin B, pesë mbi Kosovën derisa Suedia renditet e fundit me një sosh.
Në rast të triumfit pas tre ditëve ndaj Sllovenisë dhe në rast që Kosova dështon ta mposhtë Suedinë, atëherë Zvicra e siguron avancimin si lider i grupit.