FFK-ja e suspendon për katër moslojë Arbër Potokun, tentoi ta sulmojë fizikisht Genc Nuzën

FFK-ja e suspendon për katër moslojë Arbër Potokun, tentoi ta sulmojë fizikisht Genc Nuzën

Sport October 10, 2025 - 19:02

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e ka suspenduar për katër moslojë mbrojtësin e Ballkanit, Arbër Potoku, i cili sipas komunikatës zyrtare, ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor, Genc Nuzën.

Pas kartonit të kuq, Potoku thuhet se filloi menjëherë ta fyej, ofendoj dhe kërcënoj gjyqtarin kryesor, e pastaj e pështyn dhe në fund tentoi ta sulmojë fizikisht.

Raporti i Komisionit Disiplinor gjithashtu shton se ishte e nevojshme edhe ndërhyrja e policisë për ta qetësuar situatën.

“I.Lojtari i FC “Ballkani” , Arbër Potoku nr fanelle 3 dhe nr ID 001054M94, Në min 90+ i është tërhequr vërejtja disa herë për ofendime ndaj simpatizuesëve vendas dhe përfundimisht në min 90+ ndëshkohet me karton të kuq direkt”.

“Pas ndëshkimit i njëjti heziton të largohet nga fusha dhe fillon ta fyej, ofendoj dhe kërcënoj gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Pasi gjyqtarët janë drejtuar drejt veturave të tyre, në parkingun zyrtar të stadiumit i njëjti tenton ta sulmojë gjyqtarin kryesor duke vazhduar ta ofendojë, shan dhe pështyn pastaj ndërhyri policia dhe eviton sulmin ndaj tij. Sipas raporteve të zyrtareve të ndeshjes Prishtina Ballkani. Bazuar në nenin 15 paragrafi 1 pika J i Rregullores disiplinore, dënohet: me 4 (katër) ndeshje mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndërkohë, edhe fizioterapeuti Arjanit Bytyqi është suspenduar me dy ndeshje moslojë, pasi ky i fundit gjithashtu e ofendoi gjyqtarin kryesor.