Vdekja e futbollistit Erjon Morina, edhe FSHF-ja dërgon telegram ngushëllimi

Vdekja e futbollistit Erjon Morina, edhe FSHF-ja dërgon telegram ngushëllimi

Sport December 12, 2024 - 17:38

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dërguar telegram ngushëllimi për FFK-në, me rastin e vdekjes së futbollistit 22-vjeçar të FC Vushtrria, Erjon Morina.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin e kobshëm për ndarjen nga jeta të futbollistit të ri dhe të talentuar, Erjon Morina, i cili, pas një beteje të gjatë për jetën, nuk ia doli të mundë sulmin në zemër që e preku gjatë stërvitjes me ekipin e tij, FC Vushtrrinë”.

“Në këtë momente të vështira për të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, më lejoni që në emrin tim, por edhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, klubeve tona dhe familjes së madhe të futbollit shqiptar, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe e të parakohshme”.

“Zemrat tona janë me familjen Morina, Klubin Vushtrria, miqtë dhe bashkëlojtarët, të cilët po përjetojnë këtë humbje të madhe dhe të papritur. Erjoni, edhe pse i ri, la një ndikim të madh në botën e futbollit dhe do të kujtohet gjithmonë për pasionin, energjinë dhe dashurinë që kishte për sportin”.

“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimin më të thella për këtë humbje të rëndë”.

“Ne do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe nderim, si një futbollist që e dha gjithçka për të realizuar ëndrrat e tij. U prehtë në paqe shpirti i tij!”, thuhet në telegramin e FShF-së.