Triumfon Trepça, kalon në finale të Superkupës

Triumfon Trepça, kalon në finale të Superkupës

Sport December 09, 2022 - 23:09
Lajmet e fundit nga Sporti

Trepça ka mundur Bashkimin me rezultat 79:63 (19:21, 22:13, 20:14, 18:15), për tu kualifikuar në finale të Superkupës së Kosovës në basketboll.

Pas një fillimi të barabartë, prizrenasit kishin epërsi deri në shtatë pikë, 13:20, por më pas u rikthyen mitrovicasit, ku çereku i parë përfundon 19:21. Lojë e barabartë ishte në shtatë minutat e parë të periudhës së dytë, por ‘Xehetarët’ në fund u shkëputën, duke shkuar në pushim me shifrat 41:34.

Skuadra nga Mitrovica vazhdoi me lojë të mirë në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, ku kishte epërsi deri në 17 pikë, 61:44, ndërsa katër pikë radhazi nga prizrenasit bënë që rezultati pas 30 minutash të ishte 61:48. Portokallezinjtë u munduan të rikthehen në dhjetë minutat e fundit, por nuk ia arritën qëllimit dhe Trepça triumfoi 79:63.

Te mitrovicasit u dalluan Ken Brown me 17 pikë dhe Adam Grant me 15, kurse te prizrenasit u dalluan Prentis Nixon dhe Fahro Alihoxhiq me nga 14 pikë.  

Trepça në finale do të përballet të dielën me Sigal Prishtinën nga ora 17:00. /Zeri.info