Mbi 100 mijë euro shmangie, Dogana po e heton Federatën e Futbollit

Mbi 100 mijë euro shmangie, Dogana po e heton Federatën e Futbollit

Sport May 12, 2022 - 19:47

Federata e Futbollit të Kosovës është duke u hetuar nga Dogana e Kosovës. Insajderi merr vesh që hetimi po zhvillohet për sjelljen e disa pajisjeve sportive që u deklaruan si donacion, por që dyshohet të jenë blerë. Deri tash dyshohet se shmangia doganore kalon vlerën mbi 100 mijë euro.

Në janar të vitit 2021 Presidenti i Federatës së Futbollit Kosovar (FFK) Agim Ademi kishte udhëtuar në Turqi. U takua e nënshkroi një memorandum me presidentin e Federatës së Futbollit të Turqisë, Nihat Özdemir.

Presidenti Özdemir ishte zotuar “që do të ndihmojë teknikisht dhe profesionalisht FFK-në”.

Pas kësaj vizite Insajderi merr vesh se nga Turqia do të vinin në Kosovë, për nevoja të FFK-së, pajisje që vlera e tyre e kalon shifrën 700 mijë euro.

FFK-ja këtë mall dyshohet se rrejshëm e deklaroi si donacion nga Turqia, por një hetim i Doganës së Kosovës nisi menjëherë.

Në këtë mënyrë ka shmangur pagesën e obligimeve doganore për mallrat e importuar, pasi që ligji parasheh që për mallrat që janë donacione të hiqen obligimet doganore. Në këtë rast, këto mallrat nuk ishin donacion, por të blera me paratë e FFK-së, thonë burime të Insajderit.

“Janë mbi 700 mijë euro mall që janë deklaruar si donacion, por ato janë blerë dhe shmangia tatimore shkon deri në mbi 100 mijë euro”, i kanë thënëInsajderit burime brenda Doganës.

Sipas këtyre burimeve deri tash janë intervistuar afro dhjetë zyrtarë të FFK-së, përfshirë këtu edhe ish-zyrtarë të lartë të FFK-së, që janë suspenduar ose larguar nga Federata.

Drejtimin e FFK-së edhe për një mandat e mori Agim Ademi, në një kuvend së paku të kontestuar publikisht ku ai mbeti i vetmi kandidat. Ata që e kontestonin rizgjedhjen e tij edhe për një mandat, në një dokumentar ekskluziv të InDoks kishin ngritur dyshime për keqpërdorime të shumta të Ademit.