Rrahman Haradini: Meritat u takojnë lojtarëve dhe trajnerit, jam i lumtur për “Plisat”

Rrahman Haradini: Meritat u takojnë lojtarëve dhe trajnerit, jam i lumtur për “Plisat”

Sport May 11, 2021 - 13:42
Detajet

Aksionari i FC Prishtinës, Rrahman Haradini, shprehet shumë i lumtur me angazhimin e futbollistëve dhe stafit të klubit nga kryeqyteti në stinorin 2020/21.

FC Prishtinës i duhet vetëm edhe një pikë që zyrtarisht ta fitojë titullin kampion të këtij sezoni.

Haradini shprehet i lumtur që titulli mund t’u kthehet “Plisave”, ndërsa shton se merita u takon lojtarëve dhe trajnerit.

“Më vjen mirë për tifozët tanë ‘Plisat’, të cilët janë më të mirët në shqiptari, kontributi është i të gjithëve, sidomos i lojtarëve dhe trajnerit, por na duhet edhe një pikë e artë ta arrijmë objektivin tonë”, tha fillimisht Rrahman Haradini për “GazetaBlic Sport”.

Haradini thekson se do të ketë premio për të gjithë lojtarët në rast se shpallen kampionë.

“Premio ka pasur gjatë gjithë kampionatit. Secili e ka në kontratë të cekur premion për titull të kampionit. Luanat bardhekaltër e meritojnë”, vazhdoi ai.

Në fund, Haradini tha se FC Prishtina do të bëjë transferime të mëdha.

“Normalisht që do të ketë transferime të mira, për çdo vit, jo vetëm sivjet”, përfundoi Haradini.

Vlen të theksohet se Prishtina të dielën takohet me Gjilanin dhe në rast se merr një fitore ose barazim, atëherë shpallet kampione e Superligës së Kosovës.

Në xhiron e fundit prishtinasit takohen me Ballkanin në kryeqytet.