FC Prishtina reagon pas vdekjes së ish-lojtarit, Rasim Thaçi – Cima: Në këto momente qëndrojmë pranë familjes së tij
Ish-futbollisti dhe aktori i mirënjohur kosovar, Rasim Thaçi – Cima ka vdekur sot në moshën 70-vjeçare, shkruan “Zeri.info”.
“Cima” përveç që ishte ikonë e humorit kosovar, ai kishte qenë futbollist, teksa ka mbrojtur ngjyrat e Flamurtarit dhe FC Prishtinës.
Për vdekjen e tij, ka reaguar edhe FC Prishtina përmes faqes zyrtare.
Klubi “bardhekaltër” ka shprehur ngushëllime familjes Thaçi, teksa ka kujtuar atë si lojtarin që kishte kontribuuar në kohët më të vështira të klubit.
Ndryshe, Rasim Thaçi ishte futbollist i klubit kryeqytetas në vitet e 70-ta.
Ky është njoftimi i plotë i FC Prishtinës (pa ndërhyrje):
Ngushëllime familjes Thaçi
FC Prishtina shpreh ngushëllimet më të përzemërta familjes Thaçi
Sot ka ndërruar jetë ish-futbollisti i Prishtinës, aktori i mirënjohur, Rasim Thaçi – Cima.
Cima, ka qenë futbollist i Prishtinës në vitet 70-ta ndër kohët më të vështira të klubit, atëherë kur kishte rënë në rang më të ulët të garave. Por, njëkohësisht kishte qenë pjesë e skuadrës kur po fillonte të merrte pamje të mirëfilltë vendore kombëtare. Adhuruesit e vjetër të klubit i kujtojnë me mall paraqitjet e tij në ish-Ligën e parë krahinore.
Në këto momente dhimbjesh qëndrojmë pranë familjes së të ndjerit Thaçi. FC Prishtina shpreh ngushëllimet më të përzemërta familjes dhe të gjithë adhuruesve të aktorit të madh të komedisë që në kohët më të vështira të popullit tonë, nëpërmjet aktrimit të tij na jepte kurajë dhe shpresë për ditë më të mira. /Zeri.info