Krasniqi: Feronikeli ekip i rrezikshëm, por besoj në fitore

Krasniqi: Feronikeli ekip i rrezikshëm, por besoj në fitore

Sport December 03, 2020 - 16:10

FC Prishtina dhe Feronikeli do të ndeshen në kuadër të javës së 16-të. 

Dy skuadrat janë ndeshur njëherë në këtë edicion ku pati fituar FC Prishtina në Drenas 2:1, shkruan "Zeri.info".

Skuadra kryqyetase renditet e treta me 24 pikë të tubuara duke mos pësuar humbje në pesë ndeshjet e fundit rresht (katër fitore e një barazim), por edhe Feronikeli në tre ndeshjet e fundit nuk ka pësuar humbje (dy fitore e një barazim).

Megjithatë skuadra e “industrialistëve” ndodhet e pesta me 19 pikë të tubuara.

FC Prishtinës, përveç Gavazajt dhe Shillovës – të lënduar, i janë në dispozicion të gjithë futbollistët tjerë.

Mesfushori i prishtinasve, Endrit Krasniqi në një prononcim për faqen zyrtare të klubit ka thënë se shpreson në fitore kundër ish-kampionit të Kosovës.

“Mendoj se të gjitha ndeshjet e mbetura të stinorit vjeshtor është e rëndësishme dhe gjithsecila më e vështirë se tjetra dhe që të gjitha pretenduese për kreun e tabelës. Shpresoj që  me lojë të mirë të korrim fitore në përballjen me Feronikelin të cilët kanë ekip të mirë edhe pse nuk e kanë pasur formën optimale nga fillimi i kampionatit", ka deklaruar Krasniqi.

"Janë ekip i rrezikshëm, por ne do të mundohemi të kryejmë detyrat tona të cilat i kemi për të arritur objektivin që kemi”, tregoi ai.

“Kam formë të mirë momentale, shpresoj të vazhdoj njëjtë, por më shumë besoj që duhet gjithsecili së pari t’i ndihmoj ekipit edhe më shumë”, ka thënë mesfushori Endrit Krasniqi i cili në tre ndeshjet e fundit ka shënuar dy gola dhe ka regjistruar një asistim. /Zeri.info