Devolli rrëfehet për aventurën te Drenica: Gjërat brenda shtëpisë nuk i nxjerrim në pazar, jam i kënaqur me kushtet këtu

Devolli rrëfehet për aventurën te Drenica: Gjërat brenda shtëpisë nuk i nxjerrim në pazar, jam i kënaqur me kushtet këtu

Sport November 29, 2020 - 20:05

Me dorëheqjen e Fadil Ramës në krye të Drenicës erdhi trajneri nga Shqipëria, Bledar Devolli, i cili e nisi me këmbë të mbarë aventurën në "Bajram Aliu".

Trajneri shqiptar e fitoi ndeshjen e parë në krye të Drenicës kundër Trepçës '89 me rezultat të ngushtë, 2:1 në shtëpi, raporton "Zeri.info".

Devolli e vazhdoi ecurinë e rezultateve pozitive me Drenicën  duke fituar edhe ndaj FC Prishtinës (1:0), Besës (0:0) dhe Feronikelit 1:0), por në dy ndeshjet e fundit, gjërat nuk janë në nivelin e duhur.

Në dy ndeshjet e fundit, Drenica është mposhtur nga Gjilani (1:0) dhe nga lideri Ballkani (1:2), derisa nesër (e hëne), skuadra nga Skënderaji do t'i bëjë "konak" Llapit.

Image

Trajneri Devolli në një bisedë me "Zeri.info" është rrëfyer për aventurën e re me skuadrën e Drenicës, por shkurtimisht e ka komentuar edhe incidentin me futbollistin Valdo Zeqaj.

Pas humbjes nga Ballkani, u tha se Devolli ka pasur një incident verbal me Zeqajn, por në lidhje me këtë nuk ka dashur të flasë shumë.

"E kam thënë edhe pas ndeshjes se gjërat brenda shtëpisë nuk i nxjerrim në pazar", e nis bisedën me "Zeri.info" Bledar Devolli.

Trajneri nga Shqipëria që dikur kishte punuar në Kosovë te skuadra e KEK-ut, thotë se te Drenica është përshtatur shumë shpejt, derisa beson se nesër djelmoshat e tij do t'i rikthehen rezultateve pozitive.

"Jam përshtatur shumë shpejt sepse nuk kam pasur shumë kohë të mos përshtatem. Më ka ndihmuar periudha që kam punuar te KEK-u. Jam përshtatur me qytetin, me njerëzit që më rrethojnë dhe i jam shumë mirënjohës për mikëpritjen dhe respektin që kanë treguar ndaj meje. Dua t'ua shpërblej me punë dhe rezultate", tregon Devolli, duke vazhduar:

"Ndeshjen me Ballkanin e vlerësuam më shumë se ç'duhet dhe për këtë më vjen keq. Gjithsesi ka qenë një ditë jo për ne, por prapë unë i marrë përgjegjësitë për atë humbje. Megjithatë, kam besim të plotë që nesër (e hëne) do t'ju kthehemi rezultateve pozitive".

Image

Devolli mendon se futbolli kosovar është në rrugë të duhur, derisa vlerëson se infrastruktura ku klubet punojnë duhet të rregullohet.

"Besoj se është në rrugë të mbarë futbolli kosovar dhe në qoftë se rregullohet edhe infrastruktura e stërvitjeve dhe stadiumet e ndeshjeve, do të jetë një kampionat shumë cilësor. Për momentin mungon vetëm infrastruktura, sepse ajo e rritë në shumë cilësinë e skuadrave dhe kampionatin", vlerësoi Bledar Devolli.

"Timonieri" 42-vjeçar ka synime të mëdha me Drenicën, por më i afërti është fitorja nesër (e hëne) ndaj Llapit.

"Synimet e Drenicës janë ambicioze, por ne si staf do ta bëjmë publike ndeshje pas ndeshje dhe objektivi është fitorja e ndeshjes nesër ndaj Llapit. Duam t'i largohemi rrezikut njëherë dhe nesër duam t'i japim një gusht të fortë një kundërshtari direkt për zonën e rrezikshme", theksoi ish-trajneri i Luftëtarit, Kastriotit, Kamzës dhe Bylisit.

Image

Për fund, Devolli ka falënderuar kryesinë e klubit drenicas dhe kryetarin e Komunës së Skënderajt, Bekim Jasharin për besimin e dhënë si dhe për kushtet e krijuara.

"Jam shumë i kënaqur me kushtet dhe për këtë dua të falënderoj presidentin dhe kryetarin e komunës në radhëtë parë për besimin që më kanë dhënë ta drejtoj një skuadër si Drenica dhe për kushtet dhe lirinë që kam në punën time. Prandaj, dua t'ua shpërblej vetëm me punë", përfundoi të dielën për "Zeri.info" Bledar Devolli. /Zeri.info