Klubi emblemë në futbollin e Kosovës me të cilin po bëhen eksperimente!

Klubi emblemë në futbollin e Kosovës me të cilin po bëhen eksperimente!

Sport November 29, 2020 - 18:05
Image

Besa e Pejës është një ndër klubet emblemë të futbollit e Kosovës. Klubi me shumë histori në futbollin tonë në këtë edicion është "katandisur" me rezultate të dobëta.

Organizimi i brendshëm, infrastruktura dhe financat nuk po i mungojnë Besës së Pejës në këtë edicion, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për rezultate, raporton "Zeri.info".

Image

Me disa futbollistë "adoleshentë" 16-17 vjeçar, klubi po kërkon rezultate dhe talentë, por deri më tash asgjë s'po del në dritë.

Besa e Pejës në krye me kryetarin Ylli Kullashi, prezantoi projekt të ri para fillimit të edicionit duke investuar sidomos te futbollistët e rinjë teksa klubi po drejtohet një francez "anonim" si Jerome Klein.

Image

Skuadra nga Rrafshi i Dukagjinit pas 15 ndeshjeve të zhvilluara në Superligën e Kosovës ka tubuar vetëm gjashtë pikë dhe është "gozhduar" në fund të tabelës.

Image

"Zeri.info" ka tentuar të bisedojë me drejtuesit e klubit pejan, por të njëjtin kanë vlerësuar se është më mirë të mos e komentojnë situatën aktuale në të cilën ndodhet skuadra e Besës.

Skuadra buzë bjeshkëve të Rugovës është klubi i dytë më i trofeshëm në vend dhe pozita momentale nuk i shkon për shtati.

Kështu të paktën vlerësojnë njohës që këtij klubi i kanë kontribuuar tejmase.

Miftar Rama: Nuk e di se çka po ndodhë aty dhe nuk më intereson

Miftar Rama ishte trajneri i cili e ngriti Besën e Pejës në Superligën e Kosovës pas dy vitesh mungesë.

Megjithatë shkaku i disa mosmarrëveshjeve, palët nuk arritën marrëveshje duke ndarë kështu rrugët.

Image

Rama në një prononcim për "Zeri.info" ka thënë se Besa ka ambicie dhe politika të reja me kryesinë e re.

"Kam qenë një vit në Besë dhe kemi hyrë në Superligë pas dy vitesh. Tash janë bërë ndryshime, klubi është privatizuar dhe ka ambicie të reja. Nuk e di çfarë po ndodhë aty dhe nuk më intereson. I dëshiroj suksese Besës dhe shpresoj se do të luajë një ditë në Evropë", ka thënë Miftar Rama të dielën për "Zeri.info".

"Po e përcjelli Superligën dhe dëshira ime është që Besa e Pejës të mbetet në elitë. Klubi është akademi futbolli dhe për momentin nuk ka më mirë se Besa. Nuk besoj se ka më mirë me pagesa dhe me gjithçka tjetër. Superliga është diçka tjetër dhe unë nuk mundem të flas për rezultate. Për akademi është numër një në Kosovë", vlerësoi Rama.

Gashi: Trajneri e bënte veten "profesor" dhe e vlerësonte Superligën 'hajgare'

Njëri ndër futbollistët më me përvojë në futbollin e Kosovës është Dugagjin Gashi, i cili një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka kaluar me klubin me traditë të madhe, Besa e Pejës.

Image

Gashi e ka kritikuar qasjen e skuadrës pejane në Superligën e Kosovës në këtë edicion duke thënë se kjo që po ndodhë me Besën është "mëkat i madh".

"Nuk ka qenë në rregull të qaset me këtë skuadër Besa në elitë. Besa është klubi i dytë më i trofeshëm dhe ka qenë një qasje e gabuar e Besës. Nuk është në rregull me këtë emër që e ka do të ishte në rregull nëse do të ishte ndonjë skuadër tjetër, por jo Besa. Nuk ka gjasa që Besa të mbetet në Superligë", thotë "Dugi" për "Zeri.info".

Tutje, ai ka kritikuar edhe trajnerin francez Jerome Klein. Sipas tij, Klein e quante veten "profesor" si dhe e ka nënvlerësuar Superligën e Kosovës.

"Puna e Besës në Superligë është kryer. Është mëkat të investohet vetëm në futbollistë juniorë. Ai ka mundur ta bëjë një skuadër stabile, së paku me mbet në Superligë e jo me 16 apo 17-vjeçarë. Trajneri e bënte veten profesor dhe e vlerësonte Superligën 'hajgare', por kjo ligë është nivel i lartë. Është mëkat për këtë klub. Këta drejtuesit e klubit mburren me titujt e fituar nga ne", përfundoi për "Zeri.info" Dugagjin Gashi.

Duraku: Vetëm mrekullia e shpëton Besën, fajet i ka trajneri

Një futbollist tjetër që ka kontribuuar shumë te Besa e Pejës është Mensur Duraku.

Ish-mesfushori duke folur për situatën në të cilën ndodhet klubi pejan nuk ka fajësuar kryesinë për rezultatet, por shtabin teknik.

Image

"Besa më e organizuar nuk ka qenë asnjëherë. Kryetari i klubit nuk ka faj këtu mirëpo shtabi teknik. Trajneri francez ka menduar se Superliga është e dobët dhe kjo po i kushton Besës. Besa nuk e meriton këtë pozitë sepse pas FC Prishtinës është klubi më i trofeshëm në Kosovë", thotë Mensur Duraku për "Zeri.info".

Duraku potencon më tej se Besa e ka të vështirë të mbijetojë në elitë këtë edicion, derisa ka zbuluar edhe "gabimin kryesor" të klubit.

"Vetëm mrekullia e shpëton Besën dhe asgjë tjetër. Gabimi kryesor është që nuk ka lojtarë me përvojë si Dugagjin Gashi, Fitim Kasapi dhe Mensur Duraku. Është dashur të jenë aty edhe nëse nuk do të luanin 90 minuta", përfundoi Duraku.

Papuqi: Besa nuk e meriton këtë pozitë, ne besojmë në punën tonë

Situatën aktuale dhe renditjen e Besës në tabelë e ka komentuar edhe mbrojtësi me përvojë, Fisnik Papuqi, i cili momentalisht i mbron ngjyrat e Besës.

"Ne të gjithë e dimë se Besa nuk e meriton këtë pozitë duke marrë parasysh se është klubi i dytë më i trofeshëm dhe njëra ndër klubet më me nam në futbollin e Kosovës. Projekti i ri që ka nisur në klub mendoj se rezultatet do të dalin në pah pas një kohe të shkurtër. Ne po besojmë në punën e madhe që është duke u bërë nga stafi teknik dhe drejtuesit e klubit", ka thënë Fisnik Papuqi për "Zeri.info".

Image

Anësori 37-vjeçar tregon se Besa nuk është dorëzuar për mbetjen në Superligë.

"Asnjëherë nuk dorëzohemi, madje edhe nëse matematikisht dalim nga Superliga, do ta japim 120 përqindshin nga vetja. Do ta respektojmë punën që jemi duke e bërë dhe në fushë do ta japim më të mirën. E di se shumë analistë kanë thënë se Besa do ta "prishë" ligën, mirëpo më vonë do të jetë e kundërta. Do të bindeni edhe vetë", deklaroi Fisnik Papuqi. /Zeri.info