Edhe Flamurtari nuk i raporton publikisht rastet me koronavirus, presidenti thotë se nuk u ka shkuar mendja

Edhe Flamurtari nuk i raporton publikisht rastet me koronavirus, presidenti thotë se nuk u ka shkuar mendja

Sport November 23, 2020 - 17:50
Zbuloni detajet

Futbolli kosovar vazhdon të përballet me probleme të shumta.

Një tjetër problem që ka ardhur nga “qielli” është pandemia COVID-19, e cila e goditur jo pak futbollin tonë.

Rastet kur janë infektuar zyrtarë klubesh, trajnerë, futbollistë e punëtorë sportivë nuk kanë munguar në futbollin tonë.

Gjithsesi, klubet kosovare vazhdojnë t’i “mbajnë për vete” rastet pozitive.

Përjashtim ka bërë skuadra e Dritës, e cila në muajt e parë të pandemisë (maj) njoftoi publikisht në faqen zyrtare se njëri nga lojtarët është i prekur, Izair Emini.

Krahas Dritës, edhe Prishtina dhe Gjilani gjatë ndeshjeve ndërkombëtare e kanë njoftuar opinionin rreth infektimeve, por ky “adet” më pas u harrua.

Ka raste kur pas ndonjë telefonate të rastësishme për ndonjë temë rreth sportit më të popullarizuar në botë njerëzit e futbollit lajmërojnë se janë të infektuar me COVID-19, por assesi klubet nuk po gjejnë forcë që ta njoftojnë opinionin edhe zyrtarisht përmes faqeve zyrtare të klubeve.

Një gjë e tillë nuk ndodh në futbollin evropian, derisa klubet raportojnë në kohë reale për infektime.

LEXO EDHE: http://Amatorizëm total, klubet e futbollit nuk i zbulojnë publikisht rastet e infektimit me COVID-19

Flamurtari i Prishtinës ishte një nga skuadrat që edicionin e kaluar ka garuar në Superligë e që është përballur me shumë raste me koronavirus.

I infektuar ka qenë edhe njeriu i parë i skuadrës, presidenti Imer Ademi.

I kontaktuar nga “Zeri.info” për ta pyetur se pse klubi i tij nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar për rastin e tij ose edhe të futbollistëve, Ademi tha se nuk i ka shkuar mendja. “Tybe nuk më ka shkuar mendja. Veç për këtë arsye, për asgjë tjetër”, ka thënë Imer Ademi të hënën. /Zeri.info

Image