Vashat e Kosovës sfidojnë sot Turqinë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian

Vashat e Kosovës sfidojnë sot Turqinë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian

Sport October 23, 2020 - 09:02

Përfaqësuesja e Kosovës në kategorinë e femrave do ta zhvillojë sonte një ndeshje tejet interesante në kuadër të ciklit eliminator për Kampionatin Evropian "Euro 2021".

Vashat që drejtohen nga Afërdita Fazlija do të përballen me Kombëtaren e Turqisë sot me fillim nga ora 18:00, shkruan "Zeri.info".

Ndeshja në fjalë është e vlefshme për grupin A eliminator, aty ku bëjnë pjesë edhe Holanda, Rusia, Sllovenia, Estonia dhe Turqia.

Përzgjedhsja Fazlija djen (e enjte) në një bisedë me "Zeri.info" ka thënë se pret ndeshje të vështira përballë Turqisë dhe Holandës këtë muaj.

"Jane dy ndeshje tejet të vështira, nesër (sot) e kemi përballjen me Turqinë. Kemi disa mungesa, gjashtë lojtaret që kanë luajtur në ndeshjen ndaj Turqisë në Prishtinë, nuk i kemi në dispozicion", tregoi trajnerja kosovare.

Megjithatë, ajo thotë se atmosfera në grup është e mirë derisa beson në rezultat pozitiv.

"Jemi përgatitur maksimalisht brenda mundësive që na është lejuar duke pasur parasysh pandeminë COVID-19. Atmosfera është e mirë, përkundër mungesave, jemi mobilizuar dhe shpresojmë e besojmë në një rezultat pozitiv", përfundoi të enjten për "Zeri.info" Afërdita Fazlija.

Në kuadër të eliminatoreve për "Euro 21", Përfaqësuesja e Kosovës renditet në grupin A, aty ku pas gjashtë ndeshjeve ka grumbulluar nëntë pikë dhe ndodhet në vendin e katërt. /Zeri.info