Konfirmohet: Blend Baftiu dhe Arbër Hoxha merren vesh me Alanyasporin
Dy yjet e futbollit kosovar, Blend Baftiu dhe Arbër Hoxha do ta vazhdojnë karrierën në Turqi, shkruan "Zeri.info".

Marrëveshjen e ka konfirmuar për "Zeri.info" ish-futbollisti kosovar që jeton dhe vepron në Turqi, Amir Prepolli.
Prepolli që merret me aranzhime të kampeve dhe ndeshjeve miqësore konfirmon arritjen e marrëveshjes për dy futbollistët të cilët në edicionin e fundit shkëlqyen me Ballkanin e Suharekës.
"Marrëveshjen me Arbër Hoxhën, unë si menaxher i tij e kam përfunduar pas negociatave të gjata. Ndërsa, sa i përket Blend Baftiut, unë kam qenë i autorizuar nga Shkumbin Qorrmemeti dhe e kam arritur marrëveshjen edhe për të", ka thënë Amir Prepolli në një prononcim për "Zeri.info".

Baftiu dhe Hoxha pritet që në ditët në vijim të firmosin me klubin që në edicionin e fundit përfundoi në pozitën e pestë në Superligën e Turqisë.
Ndryshe, Baftiu i ka shënuar 20 gola në 34 paraqitje edicionin e kaluar në të gjitha garat.

Ndërkaq, Hoxha ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar një asistim në 28 ndeshje. /Zeri.info