Kapiteni i Dritës rrëfehet për 'Zerin' nga Zvicra: Fitorja ndaj Inter d'Escaldesit, finalja dhe rastet pozitive me COVID-19

Kapiteni i Dritës rrëfehet për 'Zerin' nga Zvicra: Fitorja ndaj Inter d'Escaldesit, finalja dhe rastet pozitive me COVID-19

Sport August 08, 2020 - 23:09

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani është shprehur tejet i lumtur me triumfin e sontëm të Dritës në Ligën e Kampionëve ndaj Inter d'Escaldesit, raporton "Zeri.info".

Drita është kualfiikuar në finalen e rundit preliminar të Ligës së Kampionëve pas fitores kundër kampionit të Andorrës, Inter d'Escaldes.

Në ndeshjen e zhvilluar në "Colovray Stadium", në Nyon të Zvicrës, kampionia e Kosovës fitoi me rezultat të ngushtë, 2:1.

Image

Pas ndeshjes, në një prononcim për "Zeri.info", Limani ka thënë se skuadra e tij duhet të shënonte më shumë gola, por që thotë se ai dhe bashkëlojtarët e tij ishin paksa të lodhur.

"Mendoj se ndeshja duhej të mbyllej me katër apo pesë gola epërsi, mirëpo u ndjemë paksa të lodhur. Ishim më lart se kundërshtari me cilësi dhe me meritë e fituam ndeshjen", ka deklaruar fillimisht Ardian Limani.

Në finalen e rundit preliminar, kampionia e Kosovës përballet me Lindfieldin, derisa Limani pret fitore.

"Në finale presim që të jemi edhe më të mirë, e rastet tona t'i shfrytëzojmë më mirë sepse jo çdo ndeshje të falë në humbje të rasteve", thotë më tej mbrojtësi i krahut të djathtë.

Image

Për fund, Limani ka folur edhe për dy rastet pozitive me COVID-19 - Fidan Gërbeshi dhe Bujar Shabani - për të cilët thotë se janë mungesa të mëdha për skuadrën.

"Jemi shumë të qetë edhe pas rezultateve. Ka mundur të ishte edhe më keq. Kemi humbur dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ne dhe që nuk zëvendësohen lehtë. Mirëpo, ne u paraqitëm mirë. Shpresoj që ata të rikthehen sa më shpejt me grupin", përfundoi për "Zeri.info", Ardian Limani. /Zeri.info