Infektuar: 10795
Shëruar: 6411
Vdekur: 365
Çfarë po ndodh me mjetet e premtuara nga MKRS-ja për sportin kosovar?

Çfarë po ndodh me mjetet e premtuara nga MKRS-ja për sportin kosovar?

Sport July 14, 2020 - 14:16

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kohën kur qeveria drejtohej nga Albin Kurti kishte vendosur që të ndajë pesë milionë euro si pako emergjente për shkak të vështirësive që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

Përderisa kanë kaluar disa muaj nga ky vendim, fondi në fjalë ende nuk është ndarë për kulturën, rininë dhe sportit për shkak të neglizhencës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta rishikuar buxhetin për vitin 2020, raporton "Zeri.info".

Gjatë ditës së djeshme buxheti për vitin 2020 është rishikuar me 67 vota pro, por që ende fondi prej pesë milionësh i premtuar nga MKRS-ja nuk mund të alokohet.

Drejtori i Departamentit për Sport në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, në një prononcim për "Zeri.info" ka thënë se shuma prej pesë milionë eurosh do të alokohet në momentin kur buxheti për vitin 2020 të rishikohet në lexim të dytë.

"Sa i përket alokimit të fondeve, po presim që të miratohet rishikimi i buxhetit në lexim të dytë. Pas kësaj do të zbatohet edhe mbështetetja prej pesë milionësh për MKRS-në, ku përfshihet edhe sporti", deklaroi të martën Ibër Alaj për "Zeri.info".

Image

I pyetur se kur do të rishikohet buxheti në lexim të dytë, Alaj tha: "Duhet të pyetni deputetët e Kuvendit të Kosovës kur të vendosin. Në lexim të parë ka kaluar buxheti dhe tani duhet të kalojë edhe në lexim të dytë".

Në vendimin për përkrahjen e federatave sipas kategorive u është caktuar vlera financiare e poentimit të pikëve për Sportet kolektive dhe individuale. Poentimi për Sportet Kolektive dhe Individuale bëhet në katër grupe, A, B, C dhe D.

Grupi A ndahet në Federatat të cilat merren me Sporte Kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3400 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 2000 euro. Për grupin B vlera e pikës është 1600 euro, për grupin C vlera e pikës është 1200 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro.

Ndërkaq, me vendimin Ministrja Dumoshi ka caktuar vlerën financiare të poentimit të pikëve për Sportistët dhe Trajnerët. Vlera e pikës është në shumën prej 150 euro edhe për sportistë edhe për trajnerë, shkruan më tej "Zeri.info".

Image

Për të dyja vendimet Departamenti i Sportit do të jetë i obliguar t’i zbatojë në raport me caktimin e përkrahjes financiare të federatave sportive në Kosovë.

Duke u bazuar në vendimet e mësipërme të ministres Dumoshi, ndarja e mjeteve për Federatën e Futbollit të Kosovës do të bëhet në bazë të Ligjit për Kategorizimin e Sporteve për vitin 2020.

Federata e Futbollit e Kosovës ndodhet në kategorinë A dhe ka 79.28 pikë, dhe si rrjedhojë e kësaj këto pikë do të shumëzohen me 3400 euro, që nënkupton se shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar do t'i ndahen 269.552 euro. /Zeri.info