Zyrtare: Risi në Kosovë, klubi i Superligës e formon ekipin

Zyrtare: Risi në Kosovë, klubi i Superligës e formon ekipin "B"

Sport July 11, 2020 - 11:44
Lajmet e fundit nga sporti

Krahas investimeve të mëdha që janë duke i bërë në ekipet e para në mënyrë që të arrijnë sa më lehtë tek objektivat e veta, klubet kosovare tashmë kanë nisur edhe një risi tjetër, atë të formimit të ekipit të dytë, ose siç njihet ndryshe ekipi “B”, shkruan “Zeri.info”.

Flamurtari i Prishtinës pritet të bëhet ekipi i parë në Kosovë me ekipin “B” e këtë e ka konfirmuar drejtori sportiv i skuadrës kuqezi, Arbnor Morina, sipas të cilit kjo formë do të ndikojë në uljen e shpenzimeve të skuadrës.

“Është veprim i kryetarit të klubit Imer Ademi, i cili dëshiron që lojtarët e rinj mos të largohen nga skuadra por të mbesin pjesë e Flamurtarit, si dhe do të jetë një rast më tepër për t’u dëshmuar që të luajnë pastaj në ekipin A”, ka thënë drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina për “Zeri.info”, duke shtuar.

“Momentalisht janë diku 12-13 lojtarë që stërviten vazhdimisht dhe po besojmë se në ditët në vazhdim numri i tyre do të rritet pasi ka interesim të shumë lojtarëve që po lajmërohen me qenë pjesë e Flamurtarit “B” dhe nga edicionin i ri ky ekip do t’i nis gara në Ligën e Tretës të Kosovës në futboll”, ka thënë Arbnor Morina për “Zeri.info, duke shtuar se investimet e mëdha që kanë bërë skuadra në të kaluarën duke marrë lojtar nga jashtë e që shumë prej tyre nuk ishin të nivelit të pritur, përmes ekipit B ata presin ta furnizojnë edhe skuadrën e parë.

“Ky është potez që na qon nga ajo për t’u zvogëluar shpenzimet, pra mos me ble lojtarë nga jashtë. Në ekipin B do të luajnë lojtarët U19 të cilët nuk kanë drejtë të luajnë për ekipin e juniorëve, si dhe do t’ angazhojmë lojtarët tanë që i kemi të huazuar nëpër klubet tjera.”, ka përfunduar Arbnor Morina. /Zeri.info