Rikthimi i Superligës, na pret një kampionat i zjarrtë: Flasin dy gazetarët sportivë, Shpatmal Krasniqi dhe Lavdim Pireva

Rikthimi i Superligës, na pret një kampionat i zjarrtë: Flasin dy gazetarët sportivë, Shpatmal Krasniqi dhe Lavdim Pireva

Sport June 04, 2020 - 21:12

Me pushimet e stërzgjatura të kampionatit futbollistik në verë e në dimër ishim mësuar, por pushim të tillë, gati tremujor, nga marsi në qershor, s’kishim parë akoma. Sfida e nesërme në Podujevë mes Llapit dhe Dukagjinit shënon rifillimin e sezonit 2019/20 të Superligës, që parashihet të jetë ndër më interesantet e pasluftës.

Por si e shohin vazhdimin e kampionatit ata që janë më së afërmi me futbollin vendor, gazetarët e sportit?

Dy prej themeluesve të mediumit më të lexuar sportiv në vend, Gazetës Olle, Shpatmal Krasniqi, tani redaktor i sportit në gazetën Zëri dhe Lavdim Pireva, redaktor i sportit në portalin Telegrafi, kanë shprehur mendimet e tyre për rikthimin e Superligës dhe fatin e këtij edicioni.

Krasniqi dhe Pireva, të cilët kanë mbi 10 vjet përvojë në gazetarinë sportive, folin për luftën për titull, vendin e dytë, mbijetesën, Kupën, aleancat mes klubeve, rikthimin e tifozëve në stadiume e të tjera.

“Ishte diçka e re, por shumë e vështirë”, thotë Lavdim Pireva për punën si gazetar sporti gjatë pandemisë.

“Ishim të angazhuar në punë, por nuk kishim punë”, thekson Shpatmal Krasniqi.Image

Shpatmal Krasniqi

Shpatmal Krasniqi, një prej themeluesve të Gazetës Olle, tani redaktor i sportit në gazetën Zëri

Lavdim Pireva, një prej themeluesve të Gazetës Olle, tani redaktor i sportit në portalin Telegrafi

Gazeta Olle: Si ishte raportimi për futboll, por pa futboll për gati tre muaj gjatë pandemisë dhe si e shihni vendimin për rikhimin e Superligës?

Shpatmal Krasniqi: Me vetë faktin se nuk kishte ndeshje të futbollit, ka qenë shumë vështirë për të gjithë gazetarët sportivë që ka kryejnë punën e tyre. Ishim të angazhuar në punë, por nuk kishim punë. Ishte kohë e vështirë pa futboll dhe rrjedhimisht nuk kishte lajme, por për fat të mirë duket se pandemisë po i vjen fundi. Sa i përket rikthimit të futbollit, ky vendim është tejet i qëlluar për faktin se janë pjekur kushtet për t’u zhvilluar futbolli. Për fat të mirë, përjashto Izair Eminin e Dritës që gjatë pandemisë ndodhej në Maqedoninë e Veriut, të gjithë futbollistët dhe stafet e klubeve kanë rezultuar negativë pas testeve të kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Image
Lavdim Pireva

Lavdim Pireva: Ishte një gjë e re për ne, por e vështirë. Kur futbolli dhe sporti në përgjithësi është aktiv për ne është më e lehtë puna. Edhe fokusi i lexuesve në muajt e fundit ishte më shumë tek situata me coronavirus dhe politika, pasi sporti ishte në pushim. Vendimi për tu rikthyer Superliga besoj që tek pjesa më e madh e komunitetit është pritur shumë mirë. Duke parë nga ndeshjet e Kupës edhe masat e marra, besoj që do të shkojë shumë mirë dhe ishte vendim i duhur.

Katër skuadra duan titullin. Cilat do të jenë përparësitë dhe mangësitë e Ballkanit, Dritës, Gjilanit dhe Prishtinës?

Lavdim Pireva: Duke e parë renditjen aktuale, ku diferenca është vetëm tri pikë nga i pari tek i katërti, do të shohim 11 xhiro të zjarrta. Kemi të bëjmë me skuadra që kanë kualitet përafërsisht të njëjtë. Te Ballkani shoh paksa presion, gjë që u vërejt edhe në ndeshjen ndaj Feronikelit për Kupë, por duket e parë që ishte ndeshja e parë, besoj që do ta tejkalojnë këtë gjë. Të qenit deri tani, tregon që kanë skuadër kompakte dhe në shtëpi luajnë bukur. Gjilani sic e kanë cekur edhe të tjerë më herët ka orarin më të mirë pasi shtatë ndeshje i zhvillon në qytetin e tyre, por duke parë që në skuadrën e tyre ka shumë pak lojtarë vendas, mund të jetë një problem, sidomos në ato ndeshjet e forta vendimtare. Drita dhe Prishtina kanë skuadra me përvojë dhe bankë rezervë të mirë. Orari i tyre është paksa më i rëndë se i Ballkanit dhe Gjilanit, por besoj që do të jenë deri në fund në luftë për titull.Image

Shpatmal Krasniqi: Lufta për titull në këtë edicion do të jetë e nxehtë. Klubet kanë investuar shuma të mëdha parash për t’i arritur objektivat. Ballkani tashmë është bërë një skuadër konkurruese falë punës së mirë të presidentit Arsim Kabashi, i cili transferin më të madh e ka bërë në shtabin teknik duke e angazhuar trajnerin Ismet Munishi, i cili e ka bërë një skuadër të fuqishme dhe e ka ndërruar mentalitetin dhe tashmë po luftojnë për titull dhe Kupë. Drita gjithashtu është një skuadër që në përbërjen e saj ka futbollistë kampion dhe me shumë përvojë. E njëjta mund të thuhet edhe për Gjilanin. Prishtina si gjithmonë lufton për të gjithë trofetë derisa në këtë edicion kryesia e klubit së bashku me trajnerin Armend Dallku e kanë formuar një skuadër e cila konsiderohet si ndër më të fortat e pasluftës.

A e shihni pozitën e dytë të kapshme për Feronikelin dhe Llapin?

Shpatmal Krasniqi: Futbolli është sport i paparashikueshëm. Edhe në të kaluarën në futbollin e Kosovës janë “shkrirë” pikët e shumta. E kemi rastin e Hysit klub që tashmë është shuar e i cili doli kampion në edicionin 2010/11 duke e nisur stinorin pranveror me 10 pikë më pak se Prishtina.

Lavdim Pireva: Llapi dhe Feronikeli, aq sa e kanë kreun e renditjes afër, e kanë edhe rënien nga elita, pasi pikët janë njëjtë. Duke parë që e nisin me një orar më të lehtë, mund të ngjiten, por realisht të dyja i shoh jashtë luftë për titull ose Evropës, por vendimtare në luftë për titull. Aleancat që i krijojnë këto ekipet pa objektiva shpesh e japin edhe emrin e kampionit.

Cilat janë dy skuadrat që rrezikojnë më shumë t’i bashkohen Vushtrrisë dhe Dukagjinit drejt Ligës së Parë?

Lavdim Pireva: Dy skuadrat që më shumë e rrezikojnë rënien sipas meje janë Ferizaj dhe Trepça ’89. Ferizaj vazhdon me probleme të trashëguara në paga, tani edhe në kryesi të klubit, ku aksionarët anglez vetëm se janë larguar. Trepça ’89 edhe pse një ekip me traditë dhe kampion i Kosovës, duket që nuk e ka atë shkëlqimin e dikurshëm. Flamurtari dhe Drenica besoj që qëndrojnë më mirë si me fonde të lojtarëve ashtu edhe me financa dhe do ta ruajnë statusin e skuadrës elitare.

Shpatmal Krasniqi: Lufta për mbijetesë do të jetë e fortë. Mbetet të shihet se si do të organizohet Ferizaj që rrezikon më shumë t’i bashkohet Vushtrrisë e Dukagjinit. Është interesante të shihet se sa kanë arritur skuadrat që të përgatiten nga 18 maji kur janë lejuar përgatitjet nga institucionet.

Futbolli kosovar njeh prej vitesh aleanca mes klubeve të ndryshme me synimin për të arritur objektivat e tyre. A mund të ketë edhe sivjet?

Shpatmal Krasniqi: Nuk dua që të besoj se do të ketë aleanca. Mbetem me shpresë se gjithçka do të vendoset në fushën e gjelbër e jo në tavolina.

Lavdim Pireva: E thashë edhe më herët, ato klubet pa objektiva, që mbesin në mesin e renditjes, shumë shpesh e vendosin kampionatin. Ndër vite kemi qenë dëshmitarë që klubet e hapin portën për dikë, e me dikë tjetër luajnë fortë. Ketë vit do të jetë më e vështirë, pasi shumë ekipe luajnë për mbijetesë dhe titull, por nuk është se nuk do të mungojnë.

Përmend tre emra: Fituesin e titullit kampion, vendin e dytë dhe fituesin e Kupës…

Lavdim Pireva: Do të ishte e vështirë t’i ndaja. Por Ballkani dhe Prishtina pasi janë ende në luftë në të dyja grat, realisht janë më afër daljes në Evropë. Drita ka siguri, ndërsa Gjilani orar të mirë. Do të jetë e hapur deri në fund. Kupën aktualisht më shumë gjasa ka që ta fitojë Prishtina, pasi vetëm është në finale, ndërsa ndeshja finale luhet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ që e favorizon”.A duhet të lejohet rikthimi i tifozëve në stadiume?

Shpatmal Krasniqi: “Pa koment”.

A duhet të lejohet rikthimi i tifozëve në stadiume, duke parë hapjen e qendrave tregtare e të kafeneve në vend?

Shpatmal Krasniqi: Përderisa janë hapur çerdhet, qendrat tregtare dhe gastronomia në përgjithësi, njerëzit po tubohen për dreka e darka, nuk ka asnjë arsye që mos të lejohen tifozët në tribuna. Të paktën duhet që të konsiderohet mundësia që të rikthehen në numër më të vogël se kapacitetet që kanë stadiumet tona. Edhe ashtu, në futbollin tonë nuk tubohen shumë tifozë hiq ndonjë ndeshje derbi apo vendimtare për titull apo ekzistencë. Në stadiume pa asnjë problem mund të ruhet distanca fizike.

Lavdim Pireva: Është ende herët dhe stadiumet në Kosovë përveç “Fadil Vokrrit” nuk i plotësojnë as kushtet minimale, ku me distancën që kërkohet, nuk do të lejonin as 200 shikues. Rikthimi i tifozëve duhet të bëhet vetëm kur pandemia të jetë pothuajse e kaluar. Ka gjasa që në mesin e kësaj fazës së tretë, kur edhe masat tjera të liroheshin totalisht, të bëhej edhe rikthimi i tifozëve, pasi për futbollin tonë janë shumë të rëndësishëm.