Liria do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të FFK-së

Liria do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të FFK-së

Sport June 01, 2020 - 10:32
Lajmet e fundit nga sporti

Liria kurrsesi të pajtohet me vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, të nxjerrë nga Komiteti Ekzekutiv për anulimin e edicionit 2019/2020 në Ligën e Parë.

Prizrenasit tashmë e kanë bërë ankesën e parë në Federatën e Futbollit e Kosovës, por janë bërë gati që në rast të refuzimit, t’i drejtohen edhe instancave të tjera juridike, madje deri në Gjykatën Kushtetuese.

Kështu ka deklaruar sekretari i këtij klubi, Bashkim Kajdomçaj, i cili pret që ky vendim të pezullohet.

“Ne tashmë e kemi bërë ankesën e parë dhe do t’i drejtohemi të gjithë instancave juridike, madje edhe në Gjykatën Kushtetuese, pasi që sipas nenit 24 që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat kushtetuese themelore të njeriut dhe nenit 32 që na është mohuar e drejta e ankesës si mjet juridik”, deklaroi Kajdomçaj në “Kan Kosova”

Përveç instancave juridike në vend, Kajdomçaj ka deklaruar gjithashtu që do t’i drejtohen edhe instancave ndërkombëtare.“Përveç instancave juridike në vend, lëndën do ta dërgojmë deri në CAS. Por, për të mirën e të gjithëve do të ishte që FFK të dalë me një vendim sa më të shpejtë dhe të vendos për anulimin e atij vendimi”, shtoi ndër të tjera, Kajdomçaj.