Infektuar: 1047
Shëruar: 794
Vdekur: 30
Boksieri i ri shqiptar debuton me fitore në boksin profesionist, mposht me nokaut turkun

Boksieri i ri shqiptar debuton me fitore në boksin profesionist, mposht me nokaut turkun

Sport February 24, 2020 - 15:21

Rreth 12 vite më parë Mikel Çullhaj veshi për herë të parë dorezat duke nisur aventurën e tij në sportin e boksit. Që prej asaj kohe djaloshi nga Tirana regjistron tituj të shumtë kampion kombëtar si dhe në Kupën e Shqipërisë. Pa harruar edhe çmimet e shumta që 22-vjeçari ka marrë në aktivitete të ndryshme, ku është përzgjedhur boksieri më luftarak apo më i mirë.

Por objektivi i Çullhajt, gjithnjë ka qenë ngjitja në ringun profesionist dhe tashmë ka arritur ta realizojë këtë synim. Mbrëmjen e së shtunës në “Stela Boxing Series 2”, event i organizuar nga “Arena Boxing Promotion”, Çullhaj bëri edhe debutimin e tij në boksin profesionist, teksa sfidoi turkun Enes Su, në ndeshjen e vlefshme për kategorinë “light heavyweight” (peshat 75-81 kilogramë).

Image

Çullhaj u tregua i papërmbajtshëm duke e shkatërruar kundërshtarin e tij që në raundin e parë, ku dhe triumfoi me KO. Nuk mund të kishte nisje më të mirë për 22-vjeçarin nga Tirana, që merr kështu një sukses mjaft të bukur, në duelin e tij të parë si profesionist.

Pas këtij triumfi Mikel Çullhaj shprehu të gjithë gëzimin e tij, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale: “Falënderoj Zotin dhe të gjithë shoqërinë time që arrita të fitoj me KO në një faqe të re të karrierës sime”, shkruan boksieri.

Kujtojmë se fillimisht ishte parashikuar që Çullhaj të sfidonte elbasanasin Artan Demiri, por ky i fundit u tërhoq disa ditë më parë për shkaqe shëndetësore, për t’u zëvendësuar rreth një javë më parë me turkun Enes Su.