EKSKLUZIVE: Kosova dhe Shqipëria synojnë ta organizojnë kupën “Nëna Terezë”, fituesi del në Evropë

EKSKLUZIVE: Kosova dhe Shqipëria synojnë ta organizojnë kupën “Nëna Terezë”, fituesi del në Evropë

Sport December 24, 2019 - 19:13
Zbuloni detajet

Ëndrra për një eveniment të fuqishëm futbolli në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mund të realizohet. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Dukën po planifikojnë ta bëjnë një kupë të përbashkët e që fituesi i kësaj kupe do të garonte në Ligën e Evropës. Agim Ademi zbulon se ky eveniment do të njihej si kupa “Nëna Terezë”

Ideja që nuk shteret kurrë në Kosovë e në Shqipëri është ajo e shkrirjes së kampionateve në një ligë të përbashkët. Tash e disa dekada flitet për ide të tilla e që njohës të futbollit vlerësojnë se do të bëhej një garë interesante dhe tejet fitimprurëse.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Dukën po planifikojnë ta bëjnë një kupë të përbashkët e që fituesi i kësaj kupe do të garonte në Ligën e Evropës.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” i pari i futbollit kosovar, Agim Ademi, e ka shpalosur idenë në fjalë. Ademi ka thënë se kjo kupë do të njihet si kupa “Nëna Terezë”. “Kjo kupë do të jetë masive dhe do të zhvillohet gjatë tërë vitit. Mund të luhen ndeshjet në mesjavë të mërkurën ose të enjten kur nuk ka ndeshje kampionale” nis bisedën Agim Ademi për gazetën "Zëri".

Ademi thotë se në këtë projekt do të përfshihen të dyja qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. “Projekti do të jetë i përbashkët edhe me qeveritë tona. Do të krijohet një fond i posaçëm nga të dyja qeveritë dhe nga federatat. Krahas shpërblimit që do ta marrë fituesi nga federatat, do ta ketë edhe një shpërblim shtesë nga qeveritë. Kjo kupë do të njihet si kupa ‘Nëna Terezë’”, theksoi Agim Ademi.

Image

Kërkesa e bërë në UEFA dhe përfitimet e klubeve

Presidenti Agim Ademi ndër të tjera zbulon se tashmë është bërë kërkesa në UEFA për një projekt të tillë. “Ne e kemi dorëzuar në UEFA projektin dhe ende nuk kemi marrë përgjigje. Vitin tjetër do të mbajmë mbledhje për këtë çështje dhe do ta diskutojmë. Kjo çështje i takon më shumë presidentit Armand Duka, që është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA. Në kuadër të kësaj i takon atij me kompetencë ta përcjellë këtë çështje. Duka është edhe përgjegjës i federatave të regjioneve si Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë”, pohoi Ademi.

Image

Në pyetjen se kur mund të realizohet ky projekt, Agim Ademi deklaroi:“Presim që ky projekt të zbatohet dhe të nisë që të përgatitet nga viti i ardhshëm. Ne jemi duke pritur të formohen edhe institucionet tona që të bëhet një marrëveshje në mes dy qeverive. Ky është projekt më voluminoz dhe duhet punë që të bëhet edhe jashtë kompeticioneve. Neve si FFK nuk na mungon vullneti që ta shtyjmë përpara”.

Image

Dalja në Evropë

Ademi ndër të tjera e ka sqaruar mënyrën se si fituesi i këtij kompeticioni do të dilte në Evropë. Ai me këtë rast e ka marrë shembull Spanjën. “Kemi kërkuar nga UEFA që fituesi i kësaj kupe të jetë i pranuar në garat e fituesve të kupave, që janë jashtë kupës së shtetit. Spanja, bie fjala, e ka Kupën e Mbretit dhe ky eveniment njihet nga UEFA. Fituesi i Kupës së Mbretit shkon në UEFA dhe ne e synojmë një gjë të tillë. Krahas kampionit të Kosovës, vendit të dytë dhe fituesit të kupës së shtetit, nga Kosova ose nga Shqipëria, do të jetë një skuadër tjetër skuadër pjesëmarrëse në Evropë që shkon nga kjo kupë”, potencoi Agim Ademi.

“E dimë se është barrë edhe për klubet, edhe për federatat, por është në interes të bëhet për shkak të aspektit ekonomik të klubeve dhe daljes në Evropë”, shtoi Agim Ademi. /Zëri.info