Vushtrria paralajmëron janar “të nxehtë”

Vushtrria paralajmëron janar “të nxehtë”

Sport December 12, 2019 - 09:06

Vushtrria nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Ani pse e mbylli stinorin vjeshtor me tetë pikë larg pozitës që siguron mbijetesën, njëra nga skuadrat më simpatike në futbollin e Kosovës, me tifozërinë më të zjarrtë, po bëhet gati për një janar “të nxehtë”, në mënyrë që të krijojë një skuadër të fortë dhe ta kërkojë mbijetesën në shoqërinë elite, shkruan sot, gazeta Zëri

Ejup Llumnica

Anëtari i Kryesisë së Vushtrrisë, Zenel Gjonbalaj, në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se janari do të sjellë shumë risi, derisa ka konfirmuar se trajneri Fitim Llapashtica 99 për qind do të mbetet në bankinën e Vushtrrisë. “Po lexojmë lajme të shumta për klubet kosovare, që po bëjnë lëvizje dhe përforcime. Unë mund t’ju konfirmoj se edhe Vushtrria është në këtë rrugë, pra do të sjellë risi”, ka thënë fillimisht Gjonbalaj, duke shtuar se skuadra nuk ka asnjë arsye të dorëzohet në luftë për mbijetesë, pavarësisht që në vjeshtë pati bukur shumë lëshime. “Jemi vetëm tetë pikë larg mbijetesës dhe them se jemi fuqishëm në luftë për mbijetesë e besa edhe më tepër motivin e ka rritur fakti duke e pasur parasysh ecurinë në garat e Kupës”, tha Gjonbalaj duke folur për përforcimet e mundshme.

Image

Edhe pse ai nuk ka dhënë emra, në janar priten shumë ndryshime te Vushtrria, duke sjellë lojtarë edhe nga jashtë. “Te Vushtrria do të ketë largime, por do të kemi edhe përforcime, që do të na ndihmojnë në realizimin e objektivave tona”, vlerësoi Gjonbalaj, duke folur për fund edhe për fatin e trajnerit Fitim Llapashtica. “Fitimi është trajner i ri, mirëpo ka treguar vlera. Ai ka treguar një vullnet të madh dhe e ka dëshmuar edhe me pikët e fituara dhe me lojën që ka ndërtuar. Ende nuk është marrë ndonjë vendim final, por 99 për qind deri në fund të kampionatit do të vazhdojmë me Fitim Llapashticën”, ka përfunduar Zenel Gjonbalaj.

Të kujtojmë se Vushtrria kampionatin e mbylli në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm 15 pikë, pozitë kjo që nuk i siguron qetësi, megjithatë klubi nuk e ka ndërmend të dorëzohet dhe është gati të luftojë deri në fund për ta siguruar mbijetesën./Zëri.info