Ashtu siç e do tradita, shtrohet darkë për delegacionin nga Anglia

Ashtu siç e do tradita, shtrohet darkë për delegacionin nga Anglia

Sport November 16, 2019 - 23:47
Zbuloni detajet

Në prag të ndeshjes Kosovë – Angli, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ashtu siç e do tradita, ka shtruar darkë për delegacionin e Federatës së Futbollit të Anglisë në krye me presidentin Greg Clarke, e ku ishin të pranishëm edhe delegatët e UEFA-s dhe si mysafir special shefi i Divizionit të Federatave Kombëtare të UEFA-s, Thierry Favre, njofton Federata e Futbollit e Kosovës, shkruan Zëri.info.

Gjatë kësaj darke tejet miqësore presidenti Ademi iu uroj mirëseardhje krerëve të Federatës angleze në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e kësaj ndeshje për FFK-në dhe vet shtetin e Kosovës, duke pasur parasysh se Anglia është një superfuqi e futbollit botëror.

Në anën tjetër, presidenti Clarke u shpreh i mahnitur me mikpritjen e jashtëzakonshme që populli i Kosovës ua ka bërë Kombëtares angleze por edhe shtetasve anglezë që kanë ardhur për ta ndjekur këtë ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri”, por edhe shumë të tjerë të cilët në pamundësi të ndjekjes së ndeshjes në stadium do ta ndjekin atë në sheshin kryesor të kryeqytetit, së bashku me shumë qytetarë të Prishtinës.

Në fund të darkës të dyja delegacionet shkëmbyen dhurata dhe uruan që ndeshja e nesërme të jetë një spektakël i vërtetë futbolli. Më pas të dyja delegacionet bën një shëtitje nëpër rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Gjatë kësaj shëtitje delegacioni anglez mbeti i mahnitur me faktin se rrugët dhe sheshet e qytetit janë stolisur me flamuj të Kosovës dhe të Anglisë, duke e shndërruar ndeshjen e nesërme si një festë të vërtetë. /Zëri.info