Sulmi fizik ndaj gjyqtarit Meriton Berisha, arrestohen tre persona

Sulmi fizik ndaj gjyqtarit Meriton Berisha, arrestohen tre persona

Sport October 24, 2019 - 11:21
Detajet

Tre persona janë arrestuar pas sulmit fizik kundër gjyqtarit anësor, Meriton Berisha, gjatë një ndeshje të Superligës mes Gjilanit dhe Llapit të mërkurën, njofton Policia e Kosovës.

Berisha u sulmua fizikisht nga disa persona menjëherë pas fitores së Gjilanit 3:0 kundër Llapit të mërkurën pasdite në Gjilan. Sulmi ndaj gjyqtarit anësor u konfirmuar edhe nga trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas ndeshjes.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se i ka arrestuar tre të dyshuar për sulmin, të cilët janë dërguar në mbajtje.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K-Shqiptar, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht gjyqtarin e ndeshjes viktimën mashkull K-Shqiptar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sulmi ndaj Berishës erdhi në një kohë kur disa klube kosovare, përfshirë Feronikelin, Llapin dhe Ballkanin, janë ngritur në këmbë kundër gjyqtarëve të Superligës.

Klubi i Gjilanit u distancua nga sulmi dhe kërkoj falje, pasi Berisha u sulmua në stadiumin e tij në Gjilan, duke u zotuar për masa parandaluese në të ardhmen.