Grushte ndaj gjyqtarit, mbyllet para kohe ndeshja në Shqipëri

Grushte ndaj gjyqtarit, mbyllet para kohe ndeshja në Shqipëri

Sport tetor 21, 2019 - 10:26
Detajet

Në ndeshjet e kampionatit U-19 ka pasur shpesh përleshje mes lojtarëve apo dhunë ndaj arbitrave, por ndodh rrallë që këto fenomene negative në futbollin e moshave të zënë vend edhe te takimet e grup-moshës U17. Çudia më e madhe është se rasti i fundit vjen nga Durrësi, një qytet që nuk është shquar për problematika në ndeshjet e moshave.

Teuta-Luftëtari, e vlefshme për javën e pestë të Kategorisë Superiore U-17, u luajt vetëm 45 minuta dje në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit. Shkak është bërë një incident i turpshëm në pushimin mes pjesëve, teksa arbitrat po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes dhe aty fillimisht një person, e më pas disa të tjerë, i kanë dhunuar.

“Panorama Sport” mëson se shkëndijat e para të sherrit nisën në minutën e 28-të, kur gjyqtari kryesor nga Vlora, Klajdi Qendraj, akordoi një penallti në favor të Luftëtarit. Në këtë moment kryesorin e ndihmoi anësori Ermis Çelaj, i cili ishte më afër aksionit.

Jashtë rrethimit të fushës, një prej shikuesve nisi të ofendonte në distancë arbitrin. Mirëpo, pasi penalltia u kthye në gol dhe skuadrat po u drejtoheshin dhomave të ndeshjes, spektatori që ofendoi arbitrin kërkoi të sqarohej jashtë rrethimit të fushës me të.

Këtu situata precipitoi dhe anësori Çela e kryesori Qendraj u goditën me grushte, pasi në ndihmë të spektatorit që u bë protagonist erdhën edhe dy-tre persona të tjerë. Stafi i Teutës u mundua të bënte gjithçka për të parandaluar këtë incident. Më pas ardhja e forcave të rendit qetësoi situatën dhe arbitrat morën garanci për vazhdimin e takimit.

Mirëpo, pas pushimit 15-minutësh, arbitrat të gjendur në kushte të rënduara psikologjike, pavarësisht masave të marra nga klubi durrsak, nuk pranuan që pjesa e dytë të vazhdonte. Tashmë ky takim do të jetë objekt i Komisionit të Disiplinës. Vlen të theksohet se lojtarët dhe stafet e të dyja skuadrave mbajtën një qëndrim shumë korrekt.Image