Prishtina është gati për derbin ndaj Llapit, kthehet ylli i skuadrës, por ka edhe një mungesë të madhe

Prishtina është gati për derbin ndaj Llapit, kthehet ylli i skuadrës, por ka edhe një mungesë të madhe

Sport September 13, 2019 - 11:19
Detajet

Pas një pushimi njëjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, elita e futbollit kosovar rikthehet sot në skenë me dy ndeshje tejet joshëse, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Pa dyshim, vëmendja e gjithë opinionit kosovar në javën e 4-t në Ipko Superligën e Kosovës në futboll do të jetë te superndeshja ku përballet Prishtina e Llapi. Edhe Prishtina, edhe Llapi kampionatin nuk e nisën mirë, gjë e cila bën që sfida e sotme, e cila nis nga ora 19:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të jetë shumë e zjarrtë dhe joshëse për t’u ndjekur.

Kjo është ndeshja e parë e Prishtinës që luan në “Fadil Vokrri” në këtë edicion, derisa një fakt tjetër që e bën këtë ndeshje joshëse është se Prishtina do të hyjë në fushë me një udhëheqës të ri.

Prishtina në këtë ndeshje do ta ketë në dispozicion edhe portierin Visar Bekaj. Në afatin kalimtar të janarit Bekaj është pritur të transferohet në një klub të njohur në Evropë, mirëpo një gjë e tillë është shtyrë për muajin dhjetor. Ndryshe, për shkak të një lëndimi mungon Leonit Abazi i ardhur nga Skënderbeu. 

Trajner i skuadrës do të jetë Bylbyl Sokoli, i cili zëvendësoi të shkarkuarin Mirel Josa pas dështimeve në dy ndeshjet e para, ku fillimisht barazoi me Flamurtarin e pastaj u mposht nga Feronikeli (ndeshja me Dukagjinin është shtyrë).

“Është ndeshja ime e parë dhe luajmë kundër një ekipi cilësor. Atmosfera në klub është jashtëzakonisht e mirë dhe po shpresoj në prezantim të suksesshëm të ekipit në këtë ndeshje timen të parë. Jemi skuadër komplete, përveç Leonit Abazit që ka pasur një lëndim gjatë javës i cili është duke e sanuar lëndimin dhe mungon në ndeshje”, ka thënë Sokoli, për faqen zyrtare të klubit “prishtinafc.com”.

Ditën e premte luhet edhe një ndeshje tjetër, ajo ndërmjet Ballkanit e Trepçës ’89. /Zëri.info

Orari i ndeshjeve

E premte

16:00 Ballkani – Trepça ’89

19:00 Prishtina – Llapi

E shtunë

16:00 Drita – Feronikeli

16:00 Drenica – Gjilani

E diel

16:00 Flamurtari – Dukagjini

16:00 Ferizaj – Vushtrria